Kurti lajmërohet me një foto nga shtëpia për ta treguar gjendjen shëndetësore të tij

  • E.K /
  • 03 November 2020 - 22:46
 Kurti lajmërohet me një foto nga shtëpia për ta treguar gjendjen shëndetësore të tij

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur lidhur me gjendjen e tij pas diagnostikimit me koronavirus përpara gjashtë ditësh.

I pari i LVV’së ka treguar se iu janë larguar simptomat por që do të vazhdojë izolimin në shtëpi.

” Pasditja e parë pa simptoma. Do ta vazhdoj vetizolimin edhe disa ditë, sipas rekomandimeve të ekspertëve të shëndetit publik. Ju falemnderit të gjithëve që më keni thirrur ose shkruar, që keni pyetur ose jeni brengosur për mua. U jam mirënjohës për kujdesin e mbështetjen dhe u kërkoj falje për pamundësinë që t’u përgjigjem të gjithëve veçmas”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje, ai ka treguar se si e ka trajtuar sëmundjen Covid-19 përgjatë ditëve në izolim.

” Analizat e gjakut më dolën normale. Duket që u nxora nga COVID-19 pa pneumoni. Diciplina është vendimtare. Kam marrë rregullisht ilaçet, kam respektuar udhëzimet dhe këshillat e mjekëve. Kam ajrosur banesën dy herë në ditë nga 10 minuta duke hapur dritaret gjithandej. Kam pirë lëngje e kam marrë vitamina. Çdo tre orë kam matur temperaturën dhe saturimin si dhe kam praktikuar frymëmarrjen e thellë. Nuk kam më kokëdhembje, kollitje dhe as therrje në muskuj”, shtoi tutje ish-kryeministri i Kosovës.

Ai është shprehur mirënjohës edhe për punonjësit e vijës së parë të frontit për angazhimin, teksa ka kërkuar nga qytetarët të mos dorëzohen përballë virusit.

Kurti njoftoi para gjashtë ditësh se pas shfaqjes së simptomave dyshuese, si dhe bërjes së testit PCR, ai kishte dalë pozitiv në Covid.

“Parmbrëmë kisha disa simptoma: kokëdhembje të lehtë, pak koll dhe dhembje e skuqje të syve. Dje jam testuar për COVID-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Në dy javët në vijim do të qëndroj në vetizolim”, deklaronte kryesuesi i LVV’së.

Përveç Kurtit, më herët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje u infektuan me koronavirus Shpejtim Bulliqi dhe Fitim Uka, të cilët i mbijetuan virusit.

(Kosova Sot Online)