Hoti për vizitë zyrtare në Vatikan në kohën kur Specialja ka trazuar situatën politike në vend

  • G.G /
  • 05 November 2020 - 15:30
Hoti për vizitë zyrtare në Vatikan në kohën kur Specialja ka trazuar situatën politike në vend

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, është pritur në takim nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin.

Zyra e kryeministrit njofton se ai me këtë rast e ka falënderuar Eminencën e Tij, Kardinalin Parolin, që Selia e Shenjtë ka mbështetur popullin e Kosovës, duke kontribuar kështu për paqen e qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Kryeministri Hoti, e ka njoftuar Kardinalin Parolin me rrjedhën e  procesit të dialogut me Serbinë dhe me të drejtat të cilat i gëzojnë serbët e Kosovës në të gjitha nivelet.

Kryeministri Hoti, me Kardinalin Parolin, ka biseduar edhe për liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e  lirë të qytetarëve, mallrave, shërbimeve dhe të kapitalit, duke nënvizuar përkushtimin institucional për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”, thuhet tutje në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

“Ndër temat boshte të takimit ka qenë edhe mosnjohja e Republikës së Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Kryeministri Hoti, ka kërkuar që BE-ja ta trajtojë Kosovën si të barabartë në mesin e të barabartëve, gjë që do përbënte një kthesë pozitive në dobi të stabilitetit të qëndrueshëm, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik afatgjatë të rajonit.

Kryeministri Hoti, me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Parolin, ka biseduar edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe të komunikimit përmes marrëveshjeve të mirëkuptimit, që do të rezultonte me njohje të vlefshme të sistemit të vlerave të përbashkëta të të dyja vendeve”.

(Kosova Sot Online)