Më 2012, Trumpi e përkrahte sistemin me vota të përgjithshme, tash është mbi 4 milionë në minus

  • G.G /
  • 07 November 2020 - 10:28
Më 2012, Trumpi e përkrahte sistemin me vota të përgjithshme, tash është mbi 4 milionë në minus

Gazetari i televizionit amerikan, CNN, Jake Tapper, e ka shpërndarë një status të presidentit amerikan, Donald Trump, të bërë në vitin 2012, ku kreu i Shtëpisë së Bardhë thoshte se Kolegji Zgjedhor është katastrofë për demokracinë.

Tapper me ironi ka shkruar “Urime 8-vjetorin e këtij postimi”, duke ia bashkëngjitur postimit të tij postimin e presidentit Trump në vitin 2012, me të cilin ai linte të kuptohej se e përkrah sistemin zgjedhor ku fituesi përcaktohet në bazë të numrit të përgjithshëm të votave të qytetarëve, pa ndarje të fuqisë mes shteteve të ShBA-së veç e veç.

Sidoqoftë, Trumpi nuk dëshiron që këtë qëndrim ta publikojë këto ditë apo edhe ndoshta është penduar që e ka publikuar më 2012, sepse sipas rezultatit të tanishëm, ai ka mbi 4 milionë e 200 mijë vota më pak se rivali demokrat, Joe Biden.

Sikur fituesi i zgjedhjeve të përcaktohej sipas numrit të përgjithshëm të votave të të gjithë amerikanëve, pa Kolegjin Zgjedhor, Bideni pothuajse do ta kishte të sigurt fitoren me këtë epërsi që ka.

Postimet e Trumpit në Twitter përgjatë viteve e shpërfaqin mungesën e stabilitetit në qëndrime të politikanit që shpesh ka marrë vëmendje për deklarata të çuditshme, të pabazuara në fakte dhe në shkencë.

(Kosova Sot Online)