Vonesa e rezultatit në këto zgjedhje s’është asgjë, kaq kishin pritur amerikanët më 1876 dhe 2000

  • G.G /
  • 07 November 2020 - 13:49
Vonesa e rezultatit në këto zgjedhje s’është asgjë, kaq kishin pritur amerikanët më 1876 dhe 2000

E shtuna është dita e katërt pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe shumë njerëz mund të jenë të befasuar ose të zhgënjyer për shkak të mungesës së rezultatit përfundimtar të votimit. Megjithatë, katër ditë janë shumë pak me vonesën që kishte ndodhur në zgjedhjet e vitit 2000.

Në zgjedhjet presidenciale të para dy dekadave, amerikanët kishin pritur plot 35 ditë për ta mësuar rezultatin përfundimtar, shkruan BBC.

Në atë kohë, fituesi, që ishte George W. Bush, ishte vendosur përmes Gjykatës Supreme dhe ky ishte rasti i parë që po ndodhte një gjë e tillë.

Në ditën e zgjedhjeve, që atëherë kishte rënë më 7 nëntor, demokrati Al Gore kishte fituar më shumë vota popullore, por rezultati ishte më i ngushtë në Kolegjin Zgjedhor. Gjithçka ishte bllokuar në Florida dhe në 25 votat e saj në Kolegjin Zgjedhor.

Gara ishte aq e ngushtë sa u kërkua rinumërimi i votave. Kampi i kandidatit demokrat kishte kërkuar që në katër distrikte rinumërimi të bëhet me dorë, duke e nxitur ankesën e përkrahësve të Bushit.

Disa javë më vonë, më 12 dhjetor, Gjykata Supreme kishte vendosur në favor të Bushit përmes votimit 5 me 4, duke e bërë atë president.

Sidoqoftë, një skenar edhe më i rëndë i pritjes së rezultatit kishte ndodhur në vitin e largët, 1876, kur presidenti nuk ishte zgjedhur gati katër muaj pas zgjedhjeve, që vazhdon të mbetet kohë rekorde e pritjes së rezultatit.

Zgjedhjet ishin mbajtur më 7 nëntor dhe rezultati nuk ishte vendosur deri më 2 mars 1877, vetëm pak ditë para inaugurimit.

Republikani Rutherford Hayes ishte shpallur fitues me vetëm një votë më shumë në Kolegjin Zgjedhor sesa demokrati Samuel Tilden.

(Kosova Sot Online)