Kryeministri Hoti takon përfaqësuesit e komunitetit të biznesit pas paralajmërimeve për mbyllje të dytë

  • G.G /
  • 11 November 2020 - 11:43
Kryeministri Hoti takon përfaqësuesit e komunitetit të biznesit pas paralajmërimeve për mbyllje të dytë

Kryeministri Avdullah Hoti është takuar me komunitetin e biznesit në Kosovë me të cilët ka diskutuar për menaxhimin e situatës me pandeminë.

 “Takimi kishte karakter konsultativ dhe informues, para masave të reja për menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19, të cilat sot pritet të bëhen publike. Masat e reja janë propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në përputhje me protokollet e përdorura në vende te BE-së, konform gjendjes pandemike në vend”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Tutje, në komunikatë thuhet se përfaqësuesit e biznesit kanë nënvizuar nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga ana e Qeverisë për këtë komunitet.

“Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit e falënderuan Kryeministrin Hoti për mbështetjen e deritanishme financiare, në vlerë prej 60 milionë euro dhe shprehën mirëkuptim për masat e reja. Por nënvizuan nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga ana e Qeverisë për këtë komunitet. Në takim u theksua nevoja e vazhdimit të punës së Grupit Koordinues për të menaxhuar situatën me pandeminë Covid 19, në të cilin pjesëmarrës janë odat ekonomike, anëtarë të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investimet”, njofton ZKM-ja.

(Kosova Sot Online)