Policia e Kosovës jep detaje për dorëheqjen e u. d. drejtorit të Prokurimit Vjollca Bala

  • E.K /
  • 11 November 2020 - 16:44
 Policia e Kosovës jep detaje për dorëheqjen e u. d. drejtorit të Prokurimit Vjollca Bala

Policia e Kosovës ka dalë me një sqarim pas publikimit të shkrimit për dorëheqjen e Drejtoreshës së Prokurimit në PK, Vjollca Bala, pas dyshimeve se disa dokumente të prokurimit janë fshirë nga sistemi i brendshëm elektronik i Policisë së Kosovës, PRIMS.

Në sqarimin e tyre thuhet se Vjollca Balaj ka ofruar dorëheqjen një ditë para se t’i mbarojë data efektive e pozitës.

Ndërsa, lidhur me dyshimet për zhdukjen e dokumenteve, PK thotë se po bashkëpunohet me IPK-në.

Sqarimi i plotë i tyre:

Zyrtarja e Policisë së Kosovës znj. V. B. (staf civil), ka qenë duke shërbyer në kuadër të Departamentit për Shërbime Mbështetëse, në pozitën u. d. drejtor i Drejtorisë së Prokurimit, efektive deri më 10.11.2020, mirëpo e njëjta ka ofruar dorëheqje vullnetare (09.11.2020), një ditë para se t’i mbarojë data efektive e pozitës.

Zyrtarja në fjalë, në dorëheqjen e ofruar ka potencuar disa dyshime të ngritura nga ana e saj, mbi disa parregullsi të cilat ia ka adresuar më parë menaxhmentit të lartë (të mëparshëm) të PK-së dhe disa dyshime, sipas saj, për parregullsi në sistemin PRIMS të PK-së, përfshirë edhe disa adresime të vazhdueshme ndaj mbikëqyrësit të saj.

Policia e Kosovës përmes zyrtarëve kompetentë ka trajtuar shqetësimet e ngritura për dyshimet e keqpërdorimit të sistemit PRIMS dhe nga të njëjtit, përfshirë menaxherin e projektit, ka rezultuar se nuk ka ndonjë keqpërdorim apo ndonjë qasje të paautorizuar në këtë sistem.

Vlen të potencohet se tani u. d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Samedin Mehmeti, në momentin e pranimit të informacioneve zyrtare me datën (04.11.2020) për të gjitha dyshimet e ngritura nga ana e zyrtares në fjalë, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme ligjore, duke e trajtuar dhe adresuar në mënyrë zyrtare shkresën edhe tek Inspektorati Policor i Kosovës, për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

Policia e Kosovës, në këtë rast u. d. drejtori i Përgjithshëm i PK-së z. Mehmeti, do të vazhdojë bashkëpunimin me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe të gjitha institucionet kompetente për trajtimin dhe hetimin e këtij rasti dhe të gjitha rasteve, kur ngrihen dyshime për keqpërdorime të mundshme.

(Kosova Sot Online)