Vaksina kundër COVID-19, BE arrin marrëveshje për t’i marrë 300 milionë doza

  • E.K /
  • 11 November 2020 - 17:15
 Vaksina kundër COVID-19, BE arrin marrëveshje për t’i marrë 300 milionë doza

Bashkimi Europian do të sigurojë 300 milionë doza të vaksinës së prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech, njoftoi të mërkurën Komisioni Evropian.

“Bashkimi Europian autorizoi një kontratë të katërt me kompanitë farmaceutike BioNTech dhe Pfizer. Ajo mbulon blerjen e 300 milionë dozave pasi vaksina të provohet e sigurt dhe efikase”, tha zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer.

Duke sugjeruar se nevojiten testime të mëtejshme, Komisionerja për shëndetësi, Stella Kyriakides tha se vaksina do të duhej të merrte autorizimin e Agjencisë Europiane të Shëndetësisë para se të shpërndahej te 27 vendet e bllokut. Megjithatë, Kyriakides shtoi se masat e sigurisë nuk do të pezulloheshin menjëherë pas daljes së vaksinës në treg.  

“Dua të sigurohem se do të përcjellim mesazhin e duhur te kushdo, se duhet të vijojmë të respektojmë masat që janë në fuqi”, tha ajo.

Kjo lëvizje e Bashkimit Europian vjen pak ditë pas njoftimit se vaksina eksperimentale e prodhuar nga Pfizer dhe Biontech ishte mbi 90% efektive.

Sipas marrëveshjes, 27 vendet e bllokut mund të blejnë fillimisht 200 milionë doza, me mundësinë për të siguruar edhe 100 milionë të tjera. BE ka arritur marrëveshje edhe me kompanitë AstraZeneca, Sanofi dhe Johnson & Johnson e është gjithashtu në bisedime me Modernën, CureVac dhe Novavax. 

(Kosova Sot Online)