Pas Putinit e Erdoganit, edhe Makroni i fut pak hundët në Karabak: Jemi të gatshëm të ndihmojmë

  • E.K /
  • 13 November 2020 - 15:55
 Pas Putinit e Erdoganit, edhe Makroni i fut pak hundët në Karabak: Jemi të gatshëm të ndihmojmë

Pas armëpushimit të arritur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, që u ndërmjetësua nga Rusia, presidenti francez, Emanuel Makron, ka thënë se ai është i gatshëm të ofrojë ndihmë për ndërtimin e një zgjidhjeje të gjatë dhe të baraspeshuar për të gjitha palët në konflikt.

Franca, që është pjesë e Grupit të Minskut të OSBE-së, i formuar me qëllim të zgjidhjes së konfliktit mes ish-republikave sovjetike e ku bëjnë pjesë edhe Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, e ka gjetur veten disi të lënë anash nga ndërhyrja e Rusisë me trupa paqeruajtëse dhe përkrahja politike dhe ushtarake që Turqia ia ka dhënë Azerbajxhanit.

Ndonëse Makroni ka qenë i kujdesshëm që të mos ia mbajë anën asnjërës palë në këtë konflikt, ai gjithashtu duhet të jetë i vëmendshëm për rreth 400.000 deri 600.000 armenë që jetojnë në Francë, shkruan Free Europe.

“Presidenti e shprehu kënaqësinë e tij për përfundimin e luftimeve, e ritheksoi miqësinë e tij për Armeninë dhe popullin e saj si dhe gatishmërinë e tij për të ndërtuar një zgjidhje politike të drejtë, të gjatë dhe të pranueshme për të gjitha palët në Nagorno-Karabak”, thuhet në deklaratën e presidencës franceze për një bisedë telefonike që pati Makroni me kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, në mbrëmjen e së enjtes.

Ndërkohë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i kundërshtoi kritikat që janë ngritur në Armeni për atë se Rusia, aleate kyçe e Armenisë, nuk i ka ofruar përkrahje të mjaftueshme këtij vendi në konflikt.

“Akuza se Rusia nuk e ka përkrahur mjaftueshëm Armeninë është absolutisht e pabazë. Rusia asnjëherë nuk i ka braktisur zotimet e veta si pjesë e Organizatës së Përbashkët për Siguri. Po ta sulmonte dikush Armeninë, Rusia do të bënte gjithçka për ta mbrojtur aleaten e vet”, tha ai.

(Kosova Sot Online)