Mbushen spitalet kosovare: Mbi 700 pacientë po trajtohen për Covid-19

  • E.K /
  • 13 November 2020 - 17:10
 Mbushen spitalet kosovare: Mbi 700 pacientë po trajtohen për Covid-19

Kosova ka shënuar 963 raste të reja me COVID-19, numër ky rekord që nga shpërthimi i pandemisë në mars të këtij viti. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se ky numër i personave të infektuar ka rezultuar pas 2,056 testimeve të kryera. Brenda 24 orëve të fundit janë raportuar edhe 13 raste të vdekjes, ndërkaq 177 pacientë e kanë fituar betejën me koronavirus.

E nisur nga kjo, edhe rastet me pacientë të hospitalizuar në spitalet kosovare janë rritur. Deri më sot mbi 700 pacientë të prekur me koronavirus po trajtohen në spitalet rajonale.

Vec në QKUK janë 261 pacientë të hospitalizuar prej të cilëve 23 në kujdesin intensiv.

Ndërkohë në nivel vendi janë 13 persona që po trajtohen në respirator e 47 në CPAP.

Ndërkaq në spitalet rajonale janë duke u trajtuar 447 pacientë të sëmurë me koronavirus. Nga numri total i pacientëve, 13 janë në respiratorë, 47 në CPAP ndërsa 489 janë duke u mbështetur me oksigjen.

Në 24 orët e fundit në Kosovë është shënuar rekord i rasteve të të infektuarve. IKSHPK ka konfirmuar se nga 2056 testime, 963 kanë rezultuar pozitiv ndërsa janë shënuar 13 viktima.

Numri total i rasteve pozitive është 27.851 raste nga 115.794 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 798 raste të vdekjes.

(Kosova Sot Online)