Një në katër të testuar në Kosovë kanë dalë të infektuar me koronavirus

  • E.K /
  • 13 November 2020 - 22:34
 Një në katër të testuar në Kosovë kanë dalë të infektuar me koronavirus

Nga të gjitha testet e bëra për diagnostikimin e koronavirusit në vend, një nga katër persona ka rezultuar pozitiv për virusin.

Deri më tani, në mbarë shtetin kanë arritur të testohen 115.794 persona, ku 27.851 prej tyre kanë dalë me Covid-19.

Vendi ka pasur në total 798 raste të vdekjes të lidhura me virusin nga familja SARS-COV2.

Numri aktiv i rasteve në Kosovë është 10.191.

Ndërkaq, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani është 16.862.

Përgjatë ditës së sotme, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka njoftuar se në vend janë paraqitur 963 raste të reja ditore me virusin korona, numër ky rekord i të infektuarve përbrenda një dite.

Si pasojë e numrit të madh të rasteve, Qeveria e Kosovës të enjten ka ndërmarrë masa të reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat kanë hyrë në fuqi të premten në ora 18:00.

Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.

Komunat me rrezik të lartë të infeksionit janë ato që kanë mbi 150 persona të infektuar në 100.000 brenda javës. Këtu kategorizohen komuna e Prishtinës, Podujevës, Ferizajt, Gjakovës, Gjilanit, Pejës, Fushë Kosovës, Shtimes dhe Obliliqit.

Në këto komuna, ndalohen hyrjet dhe daljet e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 19:00 deri ne orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme.

Gjatë kësaj periudhe ndalohet edhe veprimtaria e gastronomisë. Ndërkaq transporti publik lejohet të punojë me 50 për qind të kapaciteteve, duke respektuar Manualin për mbrojtje nga COVID-19. Taksitë do të lejohen të punojnë vetëm me një pasagjer prapa ose tre, nëse janë anëtarë të familjes.

(Kosova Sot Online)