Vuçiq e pranon se Merkel nuk e mbështet Beogradin për Kosovën

  • E.K /
  • 17 November 2020 - 09:32
Vuçiq e pranon se Merkel nuk e mbështet Beogradin për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjithmonë ka qenë e drejtë ndaj Serbisë, megjithëse nuk e mbështet Beogradin për çështjen e Kosovës.

Vuçiq tha për televizionin Happy TV në Serbi se për kancelaren gjermane, Kosova është “një punë e kryer, një shtet i pavarur”, por pastaj shtoi se Merkel “ishte gjithmonë e drejtë me Serbinë”.

“Ajo është e drejtë edhe në lidhje me Kosovën, ajo nuk është në anën tonë, por ajo ishte absolutisht e drejtë kur kemi biseduar për herë të fundit në Davos (në janar 2019). Ajo më tha ‘Nuk di çfarë t’ju them në këtë moment. Shikoni se si të ruhet paqja dhe stabiliteti”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se “nuk ka dyshim” se Gjermania ishte “mërzitur” për shkak të takimit të tij të planifikuar në fillim të korrikut në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, takim i cili më pas ishte të shtyrë, pasi Prokuroria e Posaçme në Hagë njoftoi se ka paraqitur aktakuzë ndaj Thaçit.

Ai shtoi se kjo është e kuptueshme sepse “ekziston një antagonizëm i madh” midis Gjermanisë dhe administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Kancelarja Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron kishin organizuar dy samite për të bindur Kosovën dhe Serbisë të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Dialogu, pas një ndërprerjeje të gjatë për shkak të tarifave ndaj mallrave serbe të vendosura nga Kosova, vazhdoi në gjysmën e dytë të këtij viti.

Por, palët nuk kanë arritur ndonjë përparim pasi Serbia kërkon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova insiston në një marrëveshje të përgjithshme, në të cilën do të përfshihej edhe njohja e ndërsjellë.

(Kosova Sot Online)