Shteti që pati tre presidentë brenda më pak se një jave

  • E.K /
  • 17 November 2020 - 10:31
Shteti që pati tre presidentë brenda më pak se një jave

Kongresi i Perusë e ka zgjedhur presidentin e ri të vendit, që është i treti brenda më pak se një jave.

Kongresisti Francisco Sagasti, profesor dhe inxhinier 76 vjeç, do të jetë president i përkohshëm i këtij shteti të Amerikës Jugore deri në zgjedhjet presidenciale që mbahen vitin e ardhshëm, shkruan BBC.

Javën e kaluar, presidenti Martin Vizcarra u rrëzua nga pushteti për shkak të dyshimeve për ryshfet, akuza të cilat ai i ka mohuar. Largimi i tij nxiti protesta në tërë vendin.

Sagasti u zgjodh president pasi e siguroi minimunin e gjashtëdhjetë votave të kërkuara. Ai i takon partisë së vetme që votoi kundër rrëzimit të ish-presidentit Vizcarra javën e kaluar.

“Gjëja kryesore për Perunë është që ta rifitojë stabilitetin dhe që ky ankth të përfundojë”, tha deputeti Alberto de Belaunde për agjencinë Reuters para votimit të presidentit të përkohshëm.

Pas rrëzimit të Vizcarras, president i përkohshëm u zgjodh Manuel Merino, që dikur shërbente si kryetar i Kongresit. Sidoqoftë, politikanët bënë thirrje për dorëheqjen e tij pas shtypjes së dhunshme të protestave.

Dhjetëra mijëra protestues kanë dalë rrugëve kundër rrëzimit të Vizcarras. Ata e akuzuan Kongresin për puç kundër presidentit që ka pasur përkrahje të vazhdueshme për përpjekjet që të bëjë reforma.

Dy studentë, Jack Pintado dhe Inti Sotelo, 22 dhe 24 vjeç, u vranë gjatë protestave të dhunshme. Dymbëdhjetë ministra të Merinos dhanë dorëheqje si protestë kundër brutalitetit të policisë. Si rezultat i kësaj gjendjeje, dorëheqje dha edhe presidenti i përkohshëm, Manuel Merino.

(Kosova Sot Online)