KMDLNJ: Baneri “Liria ka Emër” nuk ka të bëjë fare me banorët e Graçanicës

  • E.K /
  • 17 November 2020 - 13:17
KMDLNJ: Baneri “Liria ka Emër” nuk ka të bëjë fare me banorët e Graçanicës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj djegies së banerit me mbishkrimin “Liria ka Emër” të vendosur në Kishnicë.

Në reagimin e KDMLNj’së thuhet se baneri i vendosur në Kishnicë nuk ka të bëjë fare me banorët e Graçanicës dhe se nuk do të duhej të jetë shqetësim për sigurinë e tyre.

“Persona të paidentifikuar deri më tani , në orët e hershme të mëngjesit të datës 17 nëntor 2020 i vunë flakën banerit “ Liria ka Emër , UÇK “ të vendosur në Kishnicë , e banuar me shqiptarë por se bënë pjesë në komunën e Graçanicës, e banuar me shumicë serbe. Ky baner ishte vendosur në autoudhën Prishtinë – Gjilan dhe menjëherë zgjoi reagime të qeverisë së Serbisë pas së cilës, sipas një automatizmi reaguan banorët e Graçanicës duke thënë se po ndjehen të pasigurt dhe të shqetësuar”, thuhet në reagimin e KMDLNj’së.

“Baneri i vendosur në Kishnicë nuk ka të bëjë fare me banorët e Graçanicës dhe se nuk do të duhej të jetë shqetësim për sigurinë e tyre aq më parë që, edhe në Graçanicë sikur edhe në komunat tjera të Kosovës të banuara me shumicë serbe ( 10 komuna ) kryesisht janë përdorur flamujt dhe simbolet e Serbisë duke injoruar simbolet e Kosovës dhe askush nuk ua ka vënë flakën apo i ka shkatërruar ato ndonëse me Ligj është përcaktuar se kur dhe si mund të përdoren simbolet kombëtare të komunitetit pakicë”, deklaron KMDLNj.

KMDLNj thotë se Serbia e ka përdorur vendosjen e këtij baneri për sulme dhe akuza kundër UÇK’së.

“Vendosjen e këtij baneri Serbia e ka përdorur për sulme dhe akuza kundër luftës së UÇK –së në  Kosovë dhe udhëheqësve të saj që janë arrestuar nga Gjykata Speciale dhe ndaj tyre është ngritur aktakuza, siç e pranojnë autoritetet serbe, kryesisht me materiale nga Serbia”, thotë KMDLNj.

KMDLNj po kërkon hetime të shpejta për të zbardhur këtë rast.

“Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë  kërkon hetime të shpejta në mënyrë që keqbërësit e mundshëm të dalin para drejtësisë. Deri atëherë  KMDLNj  kërkon të mos paragjykohet rasti , që të mos adresohet përgjegjësia pa përfunduar hetimet sepse vetëm pas përfundimit të hetimeve dhe procedimit të provave mund dhe do të caktohet përgjegjësia për ata që e bënë këtë akt të shëmtuar apo të atyre që qëndrojnë para këtij akti neveritës dhe të dënueshëm”, deklaron KMDLNJ.

(Kosova Sot Online)