Policia gjermane përdor kamion me ujë për t’i shpërndarë mijëra protestues

  • E.K /
  • 18 November 2020 - 14:21
Policia gjermane përdor kamion me ujë për t’i shpërndarë mijëra protestues

Policia gjermane ka përdorur kamion me ujë për t’i shpërndarë mijëra protestues që u mblodhën të mërkurën në qendër të kryeqytetit Berlin. Ata po i kundërshtojnë planet e kancelares Angela Merkel për t’i dhënë kompetenca qeverisë që të vendosë masa kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit.

Protestuesit afër objektit të famshëm të Portës së Brandenburgut e sulmuan policinë me shishe dhe ndezën bomba tymi, thanë dëshmitarët. Policia arrestoi disa protestues dhe përdori kamion me ujë, duke u bërë thirrje me altoparlant pjesëmarrësve të protestës që të shpërndahen.

Mediet gjermane raportuan se në mesin e protestuesve kishte radikalë të së djathtës ekstreme. Fillimisht, protesta ishte paqësore dhe protestuesit bënin zhurmë duke goditur enë të ndryshme, shkruan Reuters.

Në protestë, protestuesit nuk kishin vendosur maska dhe nuk e respektonin distancën sociale. Shumë policë e bllokuan marshimin e protestuesve që të mos i afrohen shumë ndërtesës së kuvendit.

Pritet që më vonë gjatë ditës, dy dhomat e kuvendit t’i miratjnë ligjet me të cilat qeveria lejohet të vendosë masa kufizuese rreth kontakteve sociale, rregullave për vendosjen e maskave, pirjes së alkoolit në vende publike, mbylljes së dyqaneve dhe ndërprerjes së ngjarjeve sportive.

Ndonëse shumica e gjermanëve e pranojnë këtë version të izolimit të lehtë për ta luftuar valën e dytë të pandemisë së koronavirusit, kritikët thonë se ligji i jep tepër kompetenca qeverisë dhe i rrezikon të drejtat civile të qytetarëve pa miratimin e kuvendit.

(Kosova Sot Online)