Në një shkollë në Fushë Kosovë thuhet nuk është mbajtur mësim online që 14 ditë

  • E.K /
  • 19 November 2020 - 12:27
Në një shkollë në Fushë Kosovë thuhet nuk është mbajtur mësim online që 14 ditë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Fushë Kosovë është duke kërkuar dorëheqjen e drejtorit të Arsimit në këtë komunë, Islam Shabanit.

Kjo për shkak që sipas tyre 3400 nxënës të shkollës “Mihal Grameno” në këtë komunë nuk e kanë zhvilluar mësimin online tash e dy javë.

“Tash e katërmbëdhjetë ditë nuk është zhvilluar mësimi online në SHFMU “Mihal Grameno” të Fushë Kosovës. Që nga mbyllja e saj për shkak të koronavirusit nuk është mbajtur asnjë orë me platformën zoom, geogle etj. ashtu siç edhe parashihet me planin e Ministrisë së Arsimit. Janë humbur plot 5200 orë mësimore gjatë kësaj periudhe”, është thënë në reagimin e tyre.

Sipas tyre e gjithë kjo ka ndodhur si pasojë e neglizhencës dhe papërgjegjësisë së DKA-së në Fushë Kosovë.

“Është e papranueshme që rreth 3400 nxënës të mbesin pa mësim, shkaku i neglizhencës dhe i papërgjegjësisë së DKA-së në Fushë Kosovë, e cila nuk është në gjendje ta menaxhojë arsimin as në kushte normale. Nxënësve u është thënë vetëm ta përcjellin nga televizonet mësimin, por nuk ka pasur asnjë mbikëqyrje apo angazhim të mësimdhënësve në këtë proces. DKA ka dështuar në përmbushjen e detyrave të saj, andaj drejtori i arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani, duhet të japë dorëheqje. Ndërkaq, kërkojmë që sa më shpejt të fillojë mbajtja e mësimit online për nxënësit e “Mihal Gramenos””, është thënë tutrje në reagim.

Kujtojmë që momentalisht në nivel vendi, 38 shkolla vazhdojnë të jenë të mbyllura si pasojë e infektimit të nxënësve dhe mësimdhënësve me Covid-19. 

(Kosova Sot Online)