Presidenti çek Miloš Zeman ia jep një këshillë Donald Trumpit: Largohu, mos u bëj i turpshëm

  • E.K /
  • 19 November 2020 - 14:33
Presidenti çek Miloš Zeman ia jep një këshillë Donald Trumpit: Largohu, mos u bëj i turpshëm

Një ndër përkrahësit e parë të Trumpit në Evropë, presidenti çek, Miloš Zeman, ka thënë se presidenti i deritashëm amerikan do të tregohej më i zgjuar nëse e pranon humbjen në zgjedhjet presidenciale dhe largohet.

Politikani që kishte qenë një ndër të parët që e kishte përkrahur Trumpin në fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2016 tha për një faqe çeke të lajmeve se Trumpi duhet të marrë një rrugë tjetër, ndonëse ka mundësi të kërkojë rinumërim të votave dhe të shkojë në gjykatë.

“Unë personalisht besoj se do të ishte shumë më shumë e arsyeshme që të dorëzohet, jo të bëhet i turpshëm, dhe ta lejojë presidentin e ri që të vijë në zyrë”, tha Zeman për faqen “Parlamentnilisty.cz”.

Zemani, 76 vjeç, është një ndër figurat më të larta në politikën post-komuniste në Republikën Çeke. Ai ka shërbyer edhe si kryeministër dhe dy herë i ka fituar zgjedhjet presidenciale, shkruan Reuters.

 

Ai i ka disa qëndrime të ngjashme me Trumpin, përfshirë qasjen e ngrohtë ndaj Rusisë, qëndrimin e ashpër kundër imigrantëve dhe përkrahjen e politikave të Izraelit. Megjithatë, Zemani kurrë nuk mori ftesë për ta vizituar Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë një vizite që realizoi në Serbi vitin e kaluar, ai tha se vendi i tij duhet ta tërheqë njohjen e Kosovës. Fatmirësisht, presidenti në Çeki nuk ka kompetenca ekzekutive dhe propozimi i tij nuk u përkrah nga qeveria çeke.

(Kosova Sot Online)