Joe Biden konfirmohet fitues në Georgia edhe pas rinumërimit të votave

  • E.K /
  • 20 November 2020 - 09:21
 Joe Biden konfirmohet fitues në Georgia edhe pas rinumërimit të votave

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është konfirmuar fitues në Georgia edhe pas rinumërimit të votave.

Pas rinumërimit, agjencia AP e shpalli fitues Bidenin të enjten në mbrëmje. Zyrtarët e zgjedhjeve e rikonfirmuan fitoren e Bidenit më shumë se dy javë pas ditës së zgjedhjeve, shkruan The Guardian.

Nga procesi i rinumërimit u gjetën rreth 5.800 vota të panumëruara. Si rezultat i kësaj, Trumpi iu afrua Bidenit për rreth 1.400 vota, por këto nuk mjaftojnë që ai t’i shmanget humbjes.

“Ne u jemi mirënjohës zyrtarëve të zgjedhjeve, vullnetarëve dhe punëtorëve që kanë punuar jashtë orarit dhe në rrethana të pashembullta për ta përfunduar këtë rinumërim si forma më e lartë e shërbimit publik”, tha sekretari i Shtetit në Georgia, Brad Raffensperger.

Ndryshe, Trumpi që nga dita e zgjedhjeve ka refuzuar që ta pranojë humbjen dhe është përpjekur t’i vë në pikëpyetje rezultatet në disa shtete duke hedhur akuza për manipulime.

Fituesi i zgjedhjeve, Joe Biden, pritet që zyrtarisht ta nisë punën në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit të ardhshëm, kur ta marrë miratimin përfundimtar në Kongres sipas ceremonisë tradicionale.

(Kosova Sot Online)