Faqja në përkrahje të LDK-së fyen Saranda Bogujevcin dhe keqinterpreton një fotografi të saj me Daciqin

  • E.K /
  • 20 November 2020 - 13:27
Faqja në përkrahje të LDK-së fyen Saranda Bogujevcin dhe keqinterpreton një fotografi të saj me Daciqin

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, është ofenduar nga një faqe që mbështet Lidhjen Demokratike të Kosovës, pikërisht një ditë pasi që zëvendëskryeministri Driton Selmanaj tha “jemi lodhë me këso gjanash”, në një emision teksa ishte duke folur për të pagjeturit,.

Në postimin e faqes “LDK për Kosovën” është publikuar një fotografi e deputetes Bogujevci me Ivica Daçiqin gjatë një ekspozite në Beograd në vitin 2013.

Në mbishkrimin e kësaj fotografie ku deputetja Bogujevci i tregon për krimet që ka kryer ushtria serbe Daçiqit, simpatizantët e kanë quajtur Bogujevcin “turp i secilit të zhdukur”.

“Saranda, dje desh i gurgullove sytë kundër deputetëve të LDK-së, zv. kryeministrit Driton Selmanaj dhe shefit të grupit Arben Gashi! Saranda, je turpi i secilit të zhdukur, vrarë e dhunuar sepse ti për një grusht vota desh e “vrave” secilin deputet të LDK-së”, thuhet në postimin e kësaj faqe.

Gjatë natës së mbrëmshme, zëvendëskryeministri Selmanaj ka pasur një përplasje verbale me drejtorin e Gazetës Insajderi, Parim Olluri, lidhur me çështjen e të pagjeturve në luftën e fundit në Kosovë.

Olluri ka thënë se Bogujevci, një e mbijetuar nga masakra në Podujevë, ka të drejtë të flasë për çështjen e të pagjeturve. Megjithatë, Selmanaj ka replikuar se “jemi lodhur me gjëra të tilla”.

Pas këtyre shkrimeve në faqen që mbështet LDK-në ka reaguar edhe gazetari Vullnet Krasniqi që tha se ka qenë prezent në ekspozitën në Beograd.

Ai tha se në këtë ekspozitë janë ekspozuar të gjitha krimet që janë bërë ndaj familjes Bogujevci.

“Saranda Bogujevci ka qenë e para dhe e vetmja që ja ka thënë në sy Daciqit atëherë si kryeministër i Serbisë krejt krimet që Serbia i ka bo ndaj familjes së saj dhe Kosovës. Në këtë foto ajo është duke ja treguar disa rroba të familjarëve të saj të vrarë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai tha se nuk do ta harrojë kurrë sikletin dhe djersët që e kanë kapluar Daciqin atë natë.

“Pas shpjegimit qe ja ka bo Saranda, e pata pyet Daciqin se a do ti kërkojë falje Sarandës dhe viktimave tjera: nuk u pat përgjigj. Jashtë objektit ku mbahej ekspozita, kane qene me qindra radikal serb qe donin me thy xhamat e me hi brenda me sulmu Sarandën. Kjo ekspozite është i vetmi moment ne historinë 20 vjeçare kur ne Serbi iu është përplasë e vërteta. Me dhjetra vizitor i kam parë teksa kane qajtë”, ka thënë Krasniqi.

https://www.facebook.com/vullnet.krasniqi/posts/10223355305772157

(Kosova Sot Online)