Vrasja e Xhemail Mustafës e Enver Malokut, herët e vetme kur Rugova u pa me lot në sy

  • E.K /
  • 23 November 2020 - 13:01
Vrasja e Xhemail Mustafës e Enver Malokut, herët e vetme kur Rugova u pa me lot në sy

Atentatet ndaj bashkëpunëtorëve të tij e kishin mërzitur shumë ish-presidentin historik të vendit Ibrahim Rugovën. Njerëzit e afërt të Rugovës thonë se në momentet kur i kishte marrë lajmet për vrasjet e zyrtarëve të LDK-së, ishin herët e vetme kur ish-presidenti u pa me lot në sy.

Skender Hyseni, që ishte bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, e cilësonte atë si një intelektual të guximshëm.

Ai kishte treguar edhe një anë tjetër të ish-presidentit historik, teksa fliste edhe për herët kur ai ishte shumë i mërzitur.

“E kam vërejtur në dy raste kur ka qenë skajshëm i mërzitur. Njëri ka qenë në Monte Karlo në konferencën e Krans Montanës ku ai ka qenë një nga folësit kryesor në atë forum. Pas fjalës që e ka mbajtë, kemi shkuar në dhomë ku jemi marrë vesh që të pushojmë dhe të shihemi për sesionin tjetër. Sa kam arritur në dhomë më ka njoftuar shoqëruesi i presidentit Rugova që Xhemail Mustafa është vrarë. Kam shkuar dhe i kam trokitur në dhomë. E gjeta duke e lexuar. I tregova se çfarë ka ndodhur. Është hera e parë që e kam parë Ibrahim Rugovën me lot dhe të dërmuar shpirtërisht”, kishte thënë Hyseni duke thënë se Rugova njejtë kishte reaguar edhe pasi mori lajmin për vrasjen e Enver Malokut.

“Rasti i dytë kur e kam parë të mërzitur është vrasja e Enver Malokut. E ka përjetuar rëndë, por kjo me vrasjen e Xhemail Mustafës ishte më intensive edhe për faktin se ndodhi pas luftës dhe ishte krejtësisht e papritur. Ibrahim Rugova ka pasë një higjienë shpirtërore që vështirë që mund ta ketë dikush. Ka qenë mision i pamundshëm që t’ia ndotësh atë higjienë shpirtërore. Nuk ka mbajtë inate personale, edhe kur i kanë hyrë në hak shumë”, kishte thënë ai.

Xhemajl Mustafa është vrarë më 23 nëntor 2000 në hyrje të objektit ku gjendej banesa e tij në lagjen “Dardania”, në Prishtinë.

Enver Maloku ndërkaq u vra në pasditen e 11 janarit 1999 pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve.

Maloku ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës.

(Kosova Sot Online)