Rrëfimi i djalit për momentet e fundit të Ismet Pejës: Pësoi sulm në zemër

  • E.K /
  • 24 November 2020 - 10:07
Rrëfimi i djalit për momentet e fundit të Ismet Pejës: Pësoi sulm në zemër

Dje i është dhënë lamtumira e fundit ikonës së muzikës së vjetër qytetare, Ismet Peja.

I biri i tij Visar Peja thotë se doajeni i muzikës së vjetër qytetare me 2 nëntor kishte pasur një sulm të dyfishtë në zemër dhe tru.

“Ishte fat i babit që të nxirrej nga ajo situatë e vështirë. Por kur e kuptuam se kishte pasur edhe sulm në zemër atëherë as mjekësia nuk kishte çfarë të bënte dhe vendosëm që ditët e fundit t’i kalojmë së bashku në shtëpi në Gjakovë”, ka deklaruar Visar Peja.

Visar Peja thotë se vdekja e babait të tij nuk lidhet aspak me ndonjë infektim nga coronavirusi.

“Babi po shqetësimit kardiak e ka pasur edhe shqetësimin e quajtur “moshë”. Ishin në pyetje 83 vjet dhe një ditë trupi i njeriut fillon të shpenzohet dhe një ditë të gjithë do të kemi fatin e babës”, tregon më tej Visar Peja.

Djali i këngëtarit të njohur ka falënderuar edhe mbështetësit e Ismetit për mesazhet në këto momente të vështira për familjen.

(Kosova Sot Online)