Franca del kundër OKB-së, miraton rezolutë për njohjen e pavarësisë së Nagorno-Karabakut

  • E.K /
  • 26 November 2020 - 10:09
Franca del kundër OKB-së, miraton rezolutë për njohjen e pavarësisë së Nagorno-Karabakut

Senati i Francës të mërkurën miratoi një rezolutë për ta njohur rajonin e Nagorno-Karabakut si republikë të pavarur, qartazi në kundërshtim me të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, të cilat e njohin këtë rajon si pjesë të territorit të Azerbajxhanit.

Rezoluta ka më tepër karakter simbolik dhe ajo nuk nënkupton që qeveria automatikisht do ta njohë Nagorno-Karabakun si shtet, por dërgon mesazh përkrahjeje për komunitetin e madh armen që jeton në këtë shtet të BE-së.

“I bëhet thirrje qeverisë që ta njohë Republikën e Nagorno-Karabakut dhe ta përdorë këtë njohje si instrument të negociatave për vendosjen e paqes së qëndrueshme”, thuhet në këtë rezolutë.

Përmes këtij dokumenti gjithashtu bëhet thirrje që Evropa t’i japë një kundërpërgjigje më të ashpër Turqisë, e cila e ka përkrahur Azerbajxhanin gjatë konfliktit që zgjati rreth gjashtë javë, si dhe të zhvillohen hetime ndërkombëtare për krime të luftës në rajonin e kontestuar.

Votimi i kësaj rezolute u bë në kohën kur qeveria franceze, autoritetet lokale dhe grupet për ndihma i kanë shtuar përpjekjet ditëve të fundit për t’i përkrahur personat e zhvendosur nga rajoni ku pati luftime të ashpra.

Një aeroplan francez me ndihma mjekësore dhe produkte tjera arriti të hënën në kryeqytetin armen, Yerevan, ndërsa një aeroplan tjetër me ndihma pritet të dërgohet atje të premten, shkruan Global News, transmeton Gazeta Express.

Nagorno-Karabaku nga armenët quhet Republika e Artsakut. E ashtuquajtura republikë nuk njihet nga asnjë vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, që rajonin e Nagorno-Karabakut me rrethinë e njeh si territor të Azerbajxhanit.

(Kosova Sot Online)