Çfarë dihet deri më tani për tentim vrasjen në Deçan, prokuroria jep detaje

  • E.K /
  • 26 nëntor 2020 - 15:03
Çfarë dihet deri më tani për tentim vrasjen në Deçan, prokuroria jep detaje

Një përleshje fizike ka ndodhur mes pesë personave sot në afërsi të Kuvendit Komunal në Deçan. Aty janë përdorur edhe thikat, ndërsa lëndime kanë pësuar katër persona.

Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës, por dy nga ta janë dërguar për në QKUK, për shkak të lëndimeve të rënda.

Pas marrjes së informatës për përleshjen në Deçan, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit dy persona janë ndaluar për vepren penale “tentim vrasje”.

“Me aktvendim të prokurorit të shtetit, njëri nga të dyshuarit i moshës madhore është ndaluar  për 48 orë, kurse tjetri për 24 orë për shkak se është i mitur”, konfirmoi për  zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Sot rreth orës 12:00 policia është njoftuar për një incident në afërsi të Kuvendit Komunal në Deçan. Në përleshje kanë qenë të përfshirë pesë persona, katër kanë pësuar lëndime dhe dyshohet se gjatë përleshjes janë përdorur mjete të mprehta-thika. Katër të lënduarit janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, më pas dy nga ta janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Prishtinë”, tha Gashi.

Ndërsa, motivet që çuan deri te ky incident mbeten të paqarta.

(Kosova Sot Online)