Sipas SBASHK-ut, këto komuna s’po e dëgjojnë Qeverinë, s’po mbajnë mësim

  • E.K /
  • 30 November 2020 - 10:31
Sipas SBASHK-ut, këto komuna s’po e dëgjojnë Qeverinë, s’po mbajnë mësim

Ndonëse Qeveria e Kosovës ka vendosur dhe më vonë e ka rikonfirmuar se me sot do të jetë ditë pune e mësimi nëpër institucionet e vendit, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës (SBASHK) ka vendosur të mos e dëgjojë kryeministrin. Njësoj kanë vepruar edhe disa komuna, ku sot nuk po mbahet mësim.

Sipas kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharajt, deri tani, Gjilani, Kamenica dhe Suhareka nuk kanë nisur fare mësimin, ndërkaq në Dragash është duke u mbajtur mësimi pjesërisht.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), dje kanë bërë të ditur se në të gjitha institucionet arsimore në vend, do të punohet me orar të rregullt. Përkundër që nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, është thënë se të hënën do të pushohet për shkak të festës së 28 nëntorit, vendimi për zhvillimin e mësimit do të duhet të përfillet nga të gjithë.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, ka thënë të dielën, se sot është ditë e rregullt e punës, andaj edhe në institucionet arsimore në vend do të punonin me orar të rregullt.

“Dita e hënës është ditë e rregullt e punës në të gjitha institucionet shtetërore. Në institucionet arsimore në të gjitha nivelet do të punohet me orar të rregullt, në përputhje me masat anti-Covid të ndërmarra nga Qeveria”, ka thënë ajo.

Ndërsa, edhe nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur se qëndrimi i tyre është i njëjtë me atë të kryeministrit Hoti, edhe pse nuk është përkrahur nga SBASHK-u. Nga kjo ministri kanë thënë se mësimi do të zhvillohej në të gjitha shkollat në Kosovë. 

(Kosova Sot Online)