Hasani: Nëse për gjashtë muaj nuk zgjidhet presidenti, dalim në ‘sërnishtë’

  • E.K /
  • 01 December 2020 - 10:39
Hasani: Nëse për gjashtë muaj nuk zgjidhet presidenti, dalim në ‘sërnishtë’

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetetuese, Enver Hasani, ka thënë se nëse gjashtë muaj nga marrja e detyrës së Vjosa Osmanit si ushtruese e detyrës së presidentes nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi kalon në një terren për të cilin Kushtetuta e Kosovës nuk ka shpjegim.

Hasani mbrëmë ka thënë se do të shkatërrohej dhe mbyllej institucioni i Zyrës së Presidentit në rast nuk zgjidhet një president i ri brenda periudhës gjashtëmujore siç e parasheh Kushtetuta.

“Brenda gjashtë muajve duhet të zgjidhet presidenti, se përndryshe, po nuk u zgjodh pas gjashtë muajsh prej kur zonja Vjosa Osmani e ka marrë pozitën e ushtrueses së detyrës, gjendja është… horë bëhemi, e shkatërron ti një institucion, e mbyllë. S’ka shpjegim kushtetues pas 6 muajve”, ka thënë Hasani. “Ajo është një neverland, një zonë e përhimtë që nuk shpjegohet me kushtetutë”.

Ai ka thënë se terreni në të cilin Kosova do të dilte pa një president/e pas gjashtë muajsh, do të ishte ‘sërnishtë’ dhe tërësisht jokushtetues.

“S’ka më vakancë. Ti masanej je në terren tërësisht jokushtetues. Që thotë populli: ‘sërnishtë’; ajo masanej është ‘sërnishtë’, nuk shpjegohet me terma kushtetues”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, në një rast të tillë, do të duhej të mblidheshin forcat politike dhe do të ishte një situatë “kush-kujt mundet me ia mujtë me forcë”.

“Atëherë duhet me u mbledh krejt forcat politike. Atëherë s’ka pikë referimi në norma. Atëherë është kush-kujt mundet me ia mujtë me forcë.. Më s’ka votë, s’ka vullnet të popullit… Më s’ka rregulla të lojës”, ka thënë Hasani.

“Ti shkon në zgjedhje, por prapë duhesh me u kthy me e formu një organ që e prishe vetë”, ka shtuar ai. 

(Kosova Sot Online)