PDK përsëritë qëndrimet: Ligji për Rimëkëmbje votohet vetëm me një kusht

  • A.P /
  • 01 December 2020 - 19:17
PDK përsëritë qëndrimet: Ligji për Rimëkëmbje votohet vetëm me një kusht

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se për të votimin e Projektligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike, duhet të merren në konsideratë propozimet të cilat janë bërë nga ana PDK-së.

“Nëse marren në konsideratë disa propozime që janë racionale, kanë qëllim dhe fokus ekonominë dhe shëndetin e qytetarëve, ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë. Nëse gjërat lëvizin në këtë drejtim ne qëndrojmë mbrapa kësaj, mbetet të shihet”, ka thënë Hamza.

Në pyetjen se cilat janë propozimet e PDK-së në raport me këtë projektligj, Hamza nuk ka dhënë detaje, pasi që, siç thotë ai, janë çështje të cilat bisedohen në komisione parlamentare.

“Ne kemi qenë shumë konstruktiv, me kohë i kemi bërë propozimet, nuk ka pasur vullnet politik të mbështeten”, deklaroi tutje ai.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe deputeti i kësaj partie, Kujtim Gashi. Ai, përmes një prononcimi të dhënë për Gazetën Express, ka deklaruar se nëse propozimet e tyre nuk pranohen, nuk do votohet ky projektligj.

“Ne i kemi qëndrimet e qarta tash e sa kohë, pa u ndryshu ligji nuk do ta ketë votën e PDK-së sepse nuk e ndihmon ekonominë e vendit, me ndryshimet dhe propozimet qe i kemi ne, ligji mundëson që për këtë fazë të ketë efekte pozitive në ekonomi”, ka thënë deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi.

“Nuk besoj që ka nevojë të negociohen. Nëse ato merren parasysh në mbledhje kur vjen për votim ligji, vota jonë është PËR”, ka thënë Gashi.

Por, nga PDK-ja kanë treguar se në cilat pika kanë kërkuar ndryshim, pasi sipas tyre, këto ndryshime janë në interes të rimëkëmbjes ekonomike të vendit.

“Pagesat për punëtorët që kanë humbur vendet e tyre të punës të paguhen me nga 300 euro për 3 muaj. Heqjen e TVSh-së për importimin e lëndës së parë. Si dhe rimbursimin e mjeteve të trustit për ata që kanë deri në 10.000 euro. Pra këto janë kërkesat tona për ta votuar ligjin për rimëkëmbje, kërkesa këto që kanë dalë edhe nga diskutimet e shumta edhe me komunitetin e biznesit”, ka thënë Gashi. 

(Kosova Sot Online)