Shtëpia e Bardhë dyshohet për skemë ryshfeti për falje të të dënuarve

  • E.K /
  • 02 December 2020 - 08:31
Shtëpia e Bardhë dyshohet për skemë ryshfeti për falje të të dënuarve

Sipas një dokumenti të gjykatës të publikuar të martën, Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara i ka nisur hetimet rreth dyshimeve për një skemë të dhënies së ryshfetit në Shtëpinë e Bardhë që ka të bëjë me faljen e personave të dënuar.

Në dokumentin që është i redaktuar në pjesën më të madhe nuk përmendet emri i presidentit në largim, Donald Trump, apo individë të tjerë dhe aty lihen shumë pyetje pa përgjigje. Sidoqoftë, ky lajm erdhi në kohën kur mediet amerikane po raportojnë për mundësinë që Trumpi të falë edhe disa persona para se të largohet zyrtarisht nga pushteti muajin e ardhshëm.

Sipas dokumentit të gjykatës, hetimi i Departamentit të Drejtësisë ka të bëjë me dyshimin se një individ ka ofruar kontribut thelbësor politik në këmbim të faljes nga presidenti apo anulimit të dënimit, shkruan The Guardian.

Në bazë të të dhënave të publikuara, dy persona të tjerë dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të palejuar si lobues për të siguruar falje në skemën e ryshfetit. Emrat e tre personave të dyshuar nuk janë publikuar.

Të martën në mbrëmje, një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë i tha agjencisë “Reuters” se asnjë zyrtar i Shtëpisë së Bardhë nuk është subjekt apo cak i hetimeve për dyshimet rreth shfrytëzimit të parave nga Shtëpia e Bardhë në këmbim të faljes presidenciale.

Dokumenti për hetimet rreth këtij rasti u lëshua nga Gjykata e Qarkut e Distriktit të Kolumbisë në Uashington. Disa nga 20 faqet e këtij dokumenti janë tërësisht të hijezuara, duke lënë të kuptohet se publikimi i hollësive mund t’i cenojë hetimet.

Ndryshe, javën e kaluar, presidenti Donald Trump ia fali dënimin ish-këshilltarit të tij për Siguri Kombëtare, Michael Flynn, i cili dy herë e kishte pranuar fajin se e ka gënjyer Byronë Federale të Hetimeve (FBI).

(Kosova Sot Online)