Interpoli ka një paralajmërim të rëndësishëm për vaksinën kundër COVID-19

  • E.K /
  • 02 December 2020 - 13:26
Interpoli ka një paralajmërim të rëndësishëm për vaksinën kundër COVID-19

Organizata ndërkombëtare e policisë, Interpol, ka dalë me një deklaratë paralajmëruese për vaksinat kundër koronavirusit pasi një prej tyre, ajo e kompanisë “Pfizer”, u miratua për përdorim në Britaninë e Madhe.

Kjo organizatë paralajmëroi të mërkurën se rrjetet e krimit të organizuar mund t’i vënë në shënjestër vaksinat kundër koronavirusit dhe se këto rrjete mund të përpiqen që të shesin vaksina të falsifikuara, shkruan Reuters.

Organizata me seli qendrore në Francë tha se ka lëshuar paralajmërim në nivel global për t’ua tërhequr vëmendjen organeve të sundimit të ligjit në 194 shtetet anëtare, duke kërkuar që ato të përgatiten për keqpërdorime të mundshme.

Sipas Interpolit, rrjetet e krimit të organizuar mund t’i vënë në shënjestër vaksinat kundër koronavirusit edhe fizikisht, edhe përmes krimit kibernetik në internet.

“Në kohën kur qeveritë po përgatiten për shpërndarjen e vaksinave, organizatat kriminale janë duke planifikuar që të përfshihen ose që t’i pengojnë zinxhirët furnizues”, tha sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Juergen Stock.

“Rrjetet kriminale gjithashtu do t’i vënë në shënjestër anëtarët e painformuar të publikuar përmes ueb-faqeve të rreme dhe ilaçeve të rreme, të cilat mund të paraqesin rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e tyre, madje edhe për jetën e tyre”, shtoi ai.

Ndryshe, Britania e Madhe të mërkurën u bë shteti i parë në botë që e miratoi për përdorim vaksinën e kompanisë “Pfizer” kundër koronavirusit. Qeveria e këtij shteti tha se vaksina do të jetë e gatshme për shpërndarje që nga java e ardhshme.

(Kosova Sot Online)