Rajoni gjerman vendoset në izolim pas shtimit të rasteve

  • E.K /
  • 02 December 2020 - 15:37
Rajoni gjerman vendoset në izolim pas shtimit të rasteve

Rajoni federal lindor i Gjermanisë, Saksonia (Sachsen) nga dita e mërkurë do të vendosë orë policore pasi disa distrikte shënuan rritje të numrit të rasteve të koronavirusit.

Në qytetin Chemnitz dhe në shumicën e distrikteve komunale të Saksonisë, nga e mërkura njerëzit mund të dalin nga shtëpitë dhe banesat vetëm në rast se kanë arsye të fortë për një veprim të tillë, siç është shkuarja në punë, në shkollë, te mjeku ose për të blerë ushqim.

Shitja e alkoolit do të jetë e ndaluar pas orës 22, ndërsa në martesa dhe funerale mund të marrin pjesë më së shumti 25 persona, shkruan The Guardian.

Sidoqoftë, masat e reja kufizuese nuk vlejnë për kryeqytetin rajonal, Dresden, ku numri i rasteve është më i ulët për 100.000 banorë.

Përderisa rajonet me dendësi më të vogël të popullsisë vazhdimisht kanë pasur shkallë më të ulët të infeksioneve, Saksonia tashmë po përpiqet që ta mbajë nën kontroll numrin e vatrave të përhapjes.

Distrikti Bautzen, për shembull, në shtatë ditët e fundit ka raportuar mesatarisht nga 414 raste për 100 mijë banorë.

(Kosova Sot Online)