Ky vend pritet ta ndalojë duhanin brenda banesave, por jo kanabisin

  • E.K /
  • 03 December 2020 - 09:40
Ky vend pritet ta ndalojë duhanin brenda banesave, por jo kanabisin

Qyteti i San Franciskos pritet që ta ndalojë pirjen e duhanit brenda banesave, por e njëjta ndalesë nuk do të vlejë edhe për konsumimin e kanabisit.

Bordi i Mbikëqyrësve i San Franciskos votoi me dhjetë vota për dhe vetëm një kundër që të ndalohet pirja e duhanit brenda banesave, por bëri një përjashtim për kanabisin, shkruan CNN.

Ky urdhër është përpjekje për t’i mbrojtur banorët nga e ashtuquajtura duhanpirje pasive apo thithja e tymit të duhanit që e lëshojnë duhanpirësit nga ata që nuk e konsumojnë atë.

Sipas rregullave të reja, pirja e duhanit ndalohet brenda ndërtesave me tri apo më shumë njësi banesore dhe në të gjitha hapësirat e përbashkëta. Sidoqoftë, në vendim thuhet se kanabisi mjekësor dhe përdorimi i tij nga të rriturit është i lejuar.

Ata që i shkelin këto rregulla mund të ndëshkohen me gjobë prej një mijë dollarësh, transmeton Gazeta Express.

Pirja e duhanit tashmë është e ndaluar në hapësirat e përbashkëta, por me rregullat e reja ky veprim ndalohet edhe brenda banesave.

Mbikëqyrësi Norman Yee, i cili e përgatiti këtë legjislacion, përmes postimin në rrjetet sociale shprehu mirënjohje ndaj kolegëve për përkrahjen e tyre që këto rregulla të miratohen.

“Duhanpirja pasive shkakton dëm dhe secili duhet të ketë ajër të pastër për të thithur aty ku jeton”, shkroi ai.

Sidoqoftë, bordi do të mblidhet përsëri javën e ardhshme për lexim të dytë, para se urdhri të shkojë në tavolinën e kryetares së qytetit, London Breed. Nëse ajo e nënshkruan urdhrin, ai do të hyjë në fuqi 30 ditë pas nënshkrimit.

(Kosova Sot Online)