Forcat izraelite vrasin 15-vjeçarin palestinez në protestë pse i gjuajti me gurë

  • S.A /
  • 05 December 2020 - 09:12
Forcat izraelite vrasin 15-vjeçarin palestinez në protestë pse i gjuajti me gurë

Ushtarët izraelitë e qëlluan për vdekje një palesitnez 15-vjeç gjatë një proteste me hedhje gurësh të premten në Bregun e pushtuar Perëndimor, thanë zyrtarët palestinezë, ndonëse ushtria izraelite ka thënë se forcat e saj nuk kanë përdorur plumba lufte.

Ministria e Shëndetësisë e Palestinës tha se adoleshenti i vrarë u qëllua me një plumb në bark dhe më pas u dërgua për trajtim në një spital të qytetit palestinez të Ramallahut, ku më vonë vdiq, shkruan Reuters.

Një zëdhënëse e ushtrisë izraelite tha se ushtarët kanë përdorur, siç i përshkroi ajo, metoda për shpërndarje të turmës, përfshirë plumbat e gomës, për t’u përballur me dhjetëra palestinezë që sulmonin me gurë dhe që mundoheshin t’ua vënë flakën gomave të automjeteve izraelite.

“Raportet për përdorim të plumbave të vërtetë gjatë kryengritjes nuk janë të vërteta, ndërsa janë të ditura pretendimet për një numër të kryengritësve të lënduar dhe një të vrarë”, tha zëdhënësja izraelite.

Një anëtar i këshillit të fshatit ku ndodhi incidenti tha se adoleshenti i vrarë ishte i përfshirë në një protestë javore kundër vendbanimeve izraelite në al-Mughayyir, që ndodhet afër qytetit Ramallah.

Ministria e Jashtme e Palestinës e përshkroi vrasjen e të riut si krim lufte. “Ky krim i neveritshëm është krim lufte dhe krim kundër njerëzimit”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Nickolay Mladenov, tha se është i tmerruar nga kjo vrasje. “Izraeli duhet që shpejt dhe në mënyrë të pavarur ta hetojë këtë incident shokues dhe të papranueshëm”, shkroi ai në një rrjet social.

Palestinezët janë kundër vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, sepse mendojnë që ato do t’ua pamundësojnë një shtet funksional. Shumë shtete i konsiderojnë këto vendbanime si pengesë në rrugën e paqes dhe ilegale sipas ligjit ndërkombëtar.

(Kosova Sot Online )