Franca akuzohet për cenim të liberalizmit, Makroni e mohon: Nuk jemi Turqi

  • E.K /
  • 05 December 2020 - 12:01
Franca akuzohet për cenim të liberalizmit, Makroni e mohon: Nuk jemi Turqi

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të premten i mohoi akuzat se qeveria e tij ka dalë kundër vlerave liberale pas një projektligji për t’i mbrojtur policët nga publikimi i fotogravie të tyre dhe pas masave të rrepta kundër grupeve islamike.

Me këtë projektligj parashihet që të ndalohet shpërndarja e fotografive ku mund të identifikohen policët. Projektligji ka ngjallur reagime dhe pakënaqësi, sidomos në mesin e gazetarëve.

I pyetur rreth cilësimit të policisë franceze nga mediet ndërkombëtare si joliberale, presidenti francez tha: “Sot, gjendja nuk është e kënaqshme, por, më falni, kjo nuk na bën shtet autoritar.”

“Ne nuk jemi Hungari, Turqi apo të ngjashme si këto. Nuk mund të lejoj që të thuhet se jemi duke i reduktuar liritë në vendin tonë”, shtoi ai, shkruan Reuters.

Protestat kundër projektligjit për mbrojtjen e identitetit të policëve eskaluan pas publikimit të videos ku një person me ngjyrë shihet duke u rrahur nga tre policë brenda studios së tij muzikore.

Makroni tha se ajo që bënë tre policët është e papranueshme, por se kjo nuk nënkupton që tërë forcat e sigurisë janë pa dallim të dhunshme dhe raciste.

Ai u mundua ta mbrojë policinë, duke thënë se edhe shoqëria është bërë më e dhunshme dhe se policët janë lënduar në përleshje me protestuesit. “Një police është rrahur nga protestuesit në Paris. Nëse nuk e shikoni shoqërinë në tërësi, nuk jeni duke u bërë të drejtë”, tha ai.

Makroni gjithashtu tha se është ndier i lënë pa përkrahje nga qeveritë dhe intelektualët perëndimorë pas vrasjes së mësuesit Samuel Paty nga një i ri mysliman. “Franca u sulmua për shkak se ajo e mbrojti lirinë e shprehjes. Ne ishim shumë të vetmuar”, tha ai.

(Kosova Sot Online)