Atifete Jahjaga: Të rishikohet afati pesëvjeçar për aplikimin e të mbijetuarave të luftës

  • E.K /
  • 08 December 2020 - 12:29
Atifete Jahjaga: Të rishikohet afati pesëvjeçar për aplikimin e të mbijetuarave të luftës

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në konferencën e organizuar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ka propozuar që të rishikohet afati prej 5 vitesh për njohjen e statusit të këtyre viktimave.

“E shoh të udhës që të rishikohet afati prej 5 vitesh për të aplikuar në statusin e të mbijetuarve, që është limit ligjor dhe kufizimi i këtij afati nuk po ndihmon në zbardhjen e e plotë të rasteve të dhunimit që kanë ndodhur gjatë luftës në vendin tonë dhe po i vendos të mbijetuarit në presionin e kohës”, deklaroi ajo.

Ajo theksoi se këto viktima po përballën edhe me sfidën e stigmatizimit nga shoqëria.

“Duhet të punojmë në largimin e stigmës dhe paragjykimet qe përballën të mbijetuarit. Ata po përballen nga pasiguria që i rrethon në shoqëri, mungesa e përkrahjes së familjes dhe frika se mund të paragjykohen nga komunitetet dhe nga rrethi i tyre”, tha më Jahjaga

Ajo në fund tha se duhet të punohet më shumë me familjet e këtyre viktimave si dhe me shoqërinë në përgjithësi.

Në këtë konferencë për statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë duke marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi si dhe panelistë të tjerë.

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimit seksual.

Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u është mundësuar të marrin pensionin ligjor që arrin në vlerën prej rreth 230 euro në muaj.Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, deri tash ka pranuar 1,361 aplikacione për pension.

(Kosova Sot Online)