Hetimi: Zelanda e Re ishte e fokusuar në terrorizmin islamik, sulmi i erdhi nga supremacisti i bardhë

  • E.K /
  • 08 December 2020 - 15:16
Hetimi: Zelanda e Re ishte e fokusuar në terrorizmin islamik, sulmi i erdhi nga supremacisti i bardhë

Agjencitë e sigurisë në Zelandën e Re kanë qenë pothuajse ekskluzivisht të përqendruara në kërcënimin nga terrorizmi islamik në kohën e sulmeve në Christchurch në vitin 2019, ku një sulmues i vrau 50 besimtarë myslimanë, thuhet në një hetim për masakrën më të rëndë në historinë moderne të shtetit të largët.

Raporti mbretëror i Christchurch-it, i cili u publikua pas 20 muajve të hulumtimit, gjithashtu zbuloi se policia kishte dështuar që të zbatojë kontrolle të duhura për lejet e armëve, shkruan The Guardian.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, kërkoi falje për dështimin, por theksoi: “Komisioni nuk gjeti fakte se këto probleme do ta kishin ndalur sulmin.”

Ajo shtoi se do t’i pranojë të gjitha 44 rekomandimet që janë dhënë në raportin hetues me 792 faqe.

Në mesin e masave fillestare që pritet të merren nga qeveria përfshihen themelimi i Ministrisë për Komunitete Etnike, përmirësimi i ndihmës për policinë për identifikimin dhe kontrollimin e krimit të urrejtjes, përmirësimi i ligjeve për gjuhën e urrejtjes dhe hulumtimeve për ekstremizmin dhe krijimi i një programi për ndërhyrje të hershme te personat që shfaqin shenja të hershme të radikalizimit.

Më 15 mars 2019, një sulmues australian i qëlloi për vdekje 51 besimtarë gjatë lutjeve të së premtes në dy xhami në qytetin Christchurch. Ky ishte sulmi më i madh masiv në histori të Zelandës së Re.

(Kosova Sot Online)