Dënohet me dy vjet burgim pse shkroi në trotuar për protestuesin e vrarë

  • E.K /
  • 08 December 2020 - 15:41
Dënohet me dy vjet burgim pse shkroi në trotuar për protestuesin e vrarë

Një banor 26 vjeç i Minskut është dënuar me dy vjet burgim për shkrimin e fjalëve “Ne kurrë nuk do të harrojmë” në një trotuar afër një stacioni të trenit, ku një protestues ishte vrarë nga policia në muajin gusht.

Gjykata e Qarkut në Frunze të martën e shpalli fajtor burrin e quajtur Maksim Paulyushchyk, për huliganizëm dhe e dënoi në të njëjtën ditë, shkruan Free Europe.

Një e pandehur tjetër, Maria Babovich, gjithashtu u shpall fajtore për huliganizëm dhe u dënua me 18 muaj kufizim të lirisë.

Këta dy persona u arrestuan në tetor përderisa ishin duke shkruar në trotuar për t’i përforcuar shkronjat. Ata dolën në gjykatë për herë të parë më 27 nëntor.

Protestuesi Alyaksandr Taraykouski vdiq më 10 gusht në një protestë kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve, sipas të cilit fitoi presidenti i vjetër, Aleksander Lukashenko, është kontestuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët në atë kohë kishin deklaruar se protestuesi ishte vrarë nga një mjet i improvizuar shpërthyes me të cilin ishte munduar ta sulmonte policinë.

(Kosova Sot Online)