Kryeministri Hoti: Dialogu nuk do bëhet mollë sherri për partnerët me koalicionin

  • G.G /
  • 10 December 2020 - 12:56
Kryeministri Hoti: Dialogu nuk do bëhet mollë sherri për partnerët me koalicionin

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur edhe njëherë për situatën e fundit politike të krijuar në vend.

Hoti ka thënë sot se koalicioni qeverisës ndodhet në rrethana të tjera për shkak të çështjes së presidentit.

Ai nga gazetarët është pyetur edhe nëse procesi i dialogut do të shkaktojë acarim të raporteve me partnerët e koalicionit.

”Nuk do bëhet ‘’mollë sherri’’ asnjëherë, sepse ne kemi një program qeverisës ku po vazhdoj të punoj në bazë të atij program. Nuk besoj që duhet të jetë problematike çështja sepse po zhvillohet mbi parime të qarta”, tha kryeministri.

Ai tha se i duhet dhënë rrjedhë dhe drejtim të qartë çështjeve kryesore, zgjedhjes së presidentit apo shkuarjes në zgjedhje.

”Besoj që në ditët e ardhshme do të arrijmë të koordinojmë këto aktivitete i gjithë spektri politik në mënyrë që të gjejmë zgjidhjen më të mirë për vendin”, tha ai.

Ndryshe, nga partia e Hotit kanë propozuar organizimin e një tryeze për zgjidhjen e ngërçit politik dhe çështjen e presidentit, mirëpo deri më tani s’ka pasur gatishmëri nga asnjëra prej subjekteve politike. 

(Kosova Sot Online)