Bjellorusia thotë se po e mbyll kufirin shkaku i pandemisë, dyshohet se ka arsye tjetër

  • E.K /
  • 10 December 2020 - 15:35
Bjellorusia thotë se po e mbyll kufirin shkaku i pandemisë, dyshohet se ka arsye tjetër

Bjellorusia do t’i mbyllë disa pika kufitare nga 20 dhjetori për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ky vendim do ta kufizojë lëvizjen e njerëzve në kohën kur shteti është përfshirë nga protestat kundër presidentit autoritar, Aleksander Lukashenka, i cili fitoi në zgjedhje presidenciale të kontestuara.

Në një njoftim të publikuar në portalin shtetëror thuhet se rezoluta qeveritare e miratuar këtë javë e ndalon udhëtimin e bjellorusëve jashtë vendit përpos rasteve kur kjo bëhet për punë apo studime. Vendimi hyn në fuqi dhjetë ditë pas publikimit.

Muajve të fundit, Bjellorusia është përfshirë nga protestat masive kundër rezultatit të zgjedhjeve. Forcat e sigurisë i kanë shtypur me dhunë këto protesta. Kombet e Bashkuara kanë thënë se në protesta janë arrestuar mbi 27 mijë persona. Ka pasur raportime edhe për torturim të të ndaluarve dhe disa persona kanë vdekur.

Udhëheqësit e opozitës, të cilët thonë se zgjedhjet e 9 gushtit ishin të manipuluara, menjëherë e akuzuan Lukashenkan për përdorimin e masave kundër pandemisë për të vendosur kufizim të lëvizjes së aktivistëve, shkruan Free Europe.

Liderja e opozitës, Svyatlana Tsikhanouskaya, në rrjetet sociale shkroi: “Lukashenka mbyll kufijtë e brendshëm të Bjellorusisë për shkak të Covid-it. Le të jemi të sinqertë: diktatori vetëm e terrorizon vendin dhe shkel të drejtat e njeriut përditë. Ai nuk është mërzitur për Covidin më parë. Tash, bjellorusët e shtypur nuk mund të ikin dhe të kërkojnë azil jashtë.”

Lukashenka është në pushtet në Bjellorusi që nga viti 1994. Ai i ka mohuar akuzat për manipulim të zgjedhjeve dhe ka refuzuar që të zhvillojë bisedime me opozitën.

(Kosova Sot Online)