Vaksina e Oksfordit do të kombinohet me Sputniken ruse për rritje të efikasitetit

  • E.K /
  • 11 December 2020 - 11:43
Vaksina e Oksfordit do të kombinohet me Sputniken ruse për rritje të efikasitetit

Kompania britanike e ilaçeve, “AstraZeneca”, e cila ka zhvilluar një vaksinë eksperimentale kundër sëmundjes Covid-19 në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, ka thënë se do ta kombinojë vaksinën e saj me vaksinën ruse, “Sputnik V”, pasi shkencëtarët rusë sugjeruan se ky kombinim mund ta rrisë në masë të konsiderueshme efikasitetin.

Zhvilluesit e vaksinës “Sputnik V” muajin e kaluar thanë: “Sputnik V është e gëzuar që ndan një nga dy vektorët adenoviralë me AstraZeneca-n për ta rritur efikasitetin e vaksinës AstraZeneca. Përdorimi i dy vektorëve të ndryshme për dy doza të vaksinës do të rezultojë në efikasitet më të lartë sesa përdorimi i vektorit të njëjtë për dy doza.”

Të premten, kompania britanike tha se është duke i shqyrtuar mundësitë për vlerësimin e vaksinave të ndryshme dhe së shpejti do të fillojë hulumtime me Institutin “Gamaleya” të Rusisë, i cili e ka zhvilluar vaksinën “Sputnik V”, për të parë nëse dy vaksinat mund të kombinohen në mënyrë të suksesshme, shkruan The Guardian.

Sipas të dhënave të publikuara në një revistë këtë javë, vaksina e AstraZeneca-s, e zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, ka efikasitet mesatar prej 70.4 për qind, mbështetur në informacionet e përkohshme të marra në fazën e fundit të testimit.

Në anën tjetër, Rusia ka pretenduar se vaksina “Sputnik V” ka efikasitet 92 për qind, ndonëse ajo nuk është testuar në mënyrë masive.

Kirill Dmitriev, kryetar i Fondit Sovran të Pasurisë në Rusi, tha se autoritetet ruse kanë vullnet për të bashkëpunuar me zhvilluesit e vaksinave tjera për ta luftuar sëmundjen Covid-19 së bashku.

“Kjo dëshmon fuqinë e teknologjisë së vaksinës Sputnik V dhe vullnetin dhe dëshirën tonë për të bashkëpunuar me zhvilluesit e vaksinave tjera për ta luftuar Covid-in së bashku”, tha ai.

(Kosova Sot Online)