Irani e dënon me 10 vjet burgim vajzën që publikoi fotografitë e veta të frikshme

  • S.A /
  • 12 dhjetor 2020 - 09:07
Irani e dënon me 10 vjet burgim vajzën që publikoi fotografitë e veta të frikshme

Një vajzë iraniane, e cila i kishte publikuar në internet fotografitë e frikshme të fytyrës së saj të deformuar, është dënuar me dhjetë vjet burgim. Lajmin e dha avokati i saj.

Sahar Tabar, 19 vjeçe, emri i vërtetë i së cilës është Fatemeh Khishvand, u bë e famshme në tërë botën pas publikimit të fotografive ku duket si zombie. Në një kohë të caktuar, ajo kishte 486.000 ndjekës në Instagram.

Ajo u akuzua nga autoritetet për korruptim të të rinjëve dhe mungesë respekti për Republikën Islamike. Në pranverë, ajo kërkoi që të lirohet nga paraburgimi, duke thënë se është prekur nga koronavirusi.

Në të kaluarën, ajo madje i kishte bërë thirrje aktores Angelina Jolie, të cilës i ngjante në disa fotografi, që të bënte fushatë për lirimin e sa, duke thënë: “Republika Islamike ka një histori të torturimit të grave. Ne duhet të jemi të bashkuar kundër këtij aparteidi gjinor.”

Fillimisht, ajo ishte akuzuar për blasfemi, nxitje të dhunës, sigurim të të ardhurave përmes mënyrave jo të duhura dhe nxitje të rinisë në korrupsion. Ajo ka thënë se është liruar nga dy akuza, por nuk ka dëshiruar të komentojë më shumë, duke thënë se po shpreson për falje.

Televizioni shtetëror në tetor e përshkroi adoleshenten si viktimë me personalitet dhe gjendje mendore jonormale, e cila synonte të nxiste vulgarizëm në rrjetet sociale, shkruan The Guardian.

Edhe në raportet mjekësore thuhet se ajo ka pasur sëmundje mendore dhe në të kaluarën ka qenë në spitale psikiatrike, duke e bërë edhe më vështirë të shpjegueshëm dënimin me dhjetë vjet burgim. Avokatët e saj gjithashtu kërkuan që vajza të lirohej me kusht dhe e theksuan moshën e saj të mitur në kohën kur ishte akuzuar për shkeljet e dyshuara.

(Kosova Sot Online  )