Një i burgosur në burgun e Dubravës vdes në spitalin e Pejës

  • E.K /
  • 14 December 2020 - 10:17
Një i burgosur në burgun e Dubravës vdes në spitalin e Pejës

Një 72-vjeçar i burgosur me inicialet M.C. ka vdekur sot në mëngjes në Spitalin Rajonal të Pejës.

I ndjeri po mbahej në Qendrën Korrektuese në Dubrovë, ndërsa Shërbimi Korrektues i Kosovës ka thënë se ai kishte probleme shëndetësore dhe kishte rezultuar pozitiv për COVID-19.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se sot rreth orës 05:45 në Spitalin Rajonal të Pejës, ka ndërruar jetë i burgosuri M. C, viti i lindjes 1948. I burgosuri gjatë qëndrimit të tij në Qendrën Korrektuese Dubravë për një kohë të gjatë kishte probleme psikiatrike dhe  ishte trajtuar me terapi përkatëse”, ka njoftuar SHKK.

Nga 6 dhjetori, sipas SHKK-së, me rekomandim të mjekut të Q.K Dubravë, 72-vjeçari ishte hospitalizuar në repartin Psikiatrik të Spitalit Rajonal të Pejës, ku ka ndërruar jetë sot.

“Gjatë qëndrimit të tij në Repartin Psikiatrik të Spitalit Rajonal të Pejës, M. C, me datë 10.12.2020 ishte testuar për Covid 19, me ç ‘rast kishte rezultuar pozitiv”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Organet kompetente thuhet se janë duke i zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa atij do t’i bëhet autopsia për ta verifikuar shkakun e vdekjes.

(Kosova Sot Online)