Reagon deputeti i AAK-së: Video-lojëra për sulmin mbi Prekazin, akt i ri agresioni mbi Kosovën

  • G.G /
  • 15 December 2020 - 12:52
Reagon deputeti i AAK-së: Video-lojëra për sulmin mbi Prekazin, akt i ri agresioni mbi Kosovën

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Syla ka reaguar ashpër pas publikimit të një video-loje në Serbi pjesë e  së cilës është edhe sulmi në Prekaz.

Ai përmes një postimi në rrjetin social në “Facebook” ka thënë se krijimi i një video-loje të tillë për t’u krenuar, është shkalla më e lartë e marrëzisë.

“Çetnikët serb e paskan rikrijuar përmes një video-loje sulmin mbi Prekaz, masakrën mbi Adem Jasharin dhe familjen e tij. Ta krijosh një video të tillë për t’u krenuar është shkalla më e lartë e marrëzisë e çnjerëzisë. Mosreagimi i Aleksander Vucicit dhe tolerimi i kësaj videoje është akt i ri agresioni mbi Kosovën”, ka shkruar ai.

Në ndëkohë në internet mund të gjenden disa video-lojëra në të cilat simulohen konfliktet ushtarake, që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi, e aty, si pjesë e misioneve, gjithashtu mund të “luhen’ edhe krimet e luftës.

Aktualisht, platforma më e famshme në Serbi është “Arma Srbija”, ku përdoruesit mblidhen për të luajtur njëkohësisht në kohë reale në internet.

Njëri nga misionet e “Arma Srbija” është edhe “Operacioni Jashari”, i cili simulon veprimin e policisë serbe në mars të vitit 1998, kur u vra njëri nga komandantët e UÇK-së (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), Adem Jashari, së bashku me më shumë se 50 anëtarë të familjes së tij.

Këto lojëra, që pastaj postohen edhe në Youtube, mund të dëgjohen zëra duke thënë që detyra e tyre është që të likuidojnë Adem Jasharin.

“Detyra jonë është që të likuidojmë Adem Jasharin”, thuhet në përshkrimin e videos, e cila është publikuarnë mars të vitit të kaluar dhe deri më tani, ka afro 85,000 shikime.

(Kosova Sot Online)