Të premten, Qeveria e Zvicrës do të shpallë ashpërsimin e madh

  • E.K /
  • 15 December 2020 - 14:44
Të premten, Qeveria e Zvicrës do të shpallë ashpërsimin e madh

“Të premten, më 18 dhjetor, Këshilli Federal do të vendosë mbi masat e mëtejshme për të luftuar pandeminë”

Këshilltari Federal Alain Berset ka mbajtur të hënën një konferencë video me drejtorët  kantonalë të shëndetit lidhur me masat për luftimin e koronavirusit. Mbyllja e restoranteve, e ambienteve të kohës së lirë, atyre kulturore dhe sportive janë planifikuar si masat e ardhshme shtrënguese.

Situata është serioze dhe shqetësuese, janë pajtuar Berset dhe Lukas Engelberger, Presidenti i Konferencës së Drejtorëve Kantonalë të Shëndetit, shkruan “Aargauer Zeitung”. Prandaj ata kanë deklaruar:

“Të premten e ardhshme, Këshilli Federal do të vendosë mbi masat e mëtejshme për të luftuar pandeminë”.

Megjithatë, as Berset dhe as Engelberger nuk kanë zbuluar për publikun se çfarë planesh specifike kanë propozuar kantonet, transmeton albinfo.ch. Por, hulumtimi i bërë nga nga gazetat CH Media tregon:

“Qeveria federale dëshiron të instalojë një ë ashtuquajtur  “sistem semafori” dhe, në varësi të zhvillimit epidemiologjik, të vendosë kufizime të mëtejshme”.
Sistemi i semaforit është i lidhur me këta katër tregues: incidencën 14-ditore, vlerën riprodhuese, shkallën e pozitivitetit në teste dhe ngarkimin e sistemit shëndetësor.

Berset dhe Engelberger e bënë të qartë se jeta e qytetarëve së shpejti do të kufizohet edhe më tej, se restorantet, për shembull,  pas vetëm pak ditësh mund të mbyllen.

Engelberger e ka thënë kësaj radhe më qartë se kurrë se drejtorët e shëndetësisë duan që Këshilli Federal të shtrëngojë masat.

Ndryshe, sipas dokumentit të konsultimit, Këshilli Federal do të vendosë për masa shtesë për herë të parë më 28 Dhjetor dhe herën e dytë më 5 Janar.

Kështu do të duken tri shkallët e përshkallëzimit të masave:

Shkalla e përshkallëzimit 1: Do të mbyllen restorantet me përjashtim të kioskave për ushqim “take away”, përcjell albinfo.ch. E njëjta gjë vlen për ambientet e aktiviteteve të kohës së lirë dhe sportive si tenisi. Institucionet kulturore dhe argëtuese gjithashtu mbesin të mbyllura.
Shkalla e përshkallëzimit 2: Parasheh kufizime të kapacitetit në dyqane: Vetëm një numër i caktuar i njerëzve lejohen të hyjnë në një dyqan në të njëjtën kohë. Intensifikohet mbrojtja e popullatës së ndjeshme, si banorët e shtëpive të të moshuarve etj.

Ashtu si në pranverë, në valën e parë, do të hyjë në fuqi e drejta për të punuar nga shtëpia. Kushdo që i përket grupit të rrezikut por që punon në një punë e cila kërkon prani fizike mund të lejohet tüe marrë pushim. Por është ende e hapur kush do të paguajë për humbjen e fitimeve në këtë rast.

Shkalla e përshkallëzimit 3: Mbyllen dyqanet që nuk ofrojnë ushqime dhe mallra të tjerë të përdorimit të përditshëm.
Jashtë mund të mblidhen në mënyrë spontane maksimalisht 10 në vend të 15 personave sa është deri tani.

Shkollat ëvazhdojnë të mbeten të hapura

Prindërit mund të marrin frymë më lehtë. Mbyllja e shkollave,  si në Gjermani, nuk është planifikuar për momentin, përcjell albinfo.ch. Sallonet e flokëve ose studiot e tatuazheve gjithashtu nuk janë të shënuara në nivelet e përshkallëzimit si lokale që së shpejti mund të mbyllen. Hotelet po ashtu edhe mëtutje do të pranojnë  mysafirë.

Sa u përket  vendpushimeve të skive, vendimi u mbetet kantoneve, transmeton albinfo.ch. Ato vendosin nëse situata epidemiologjike u lejon mbetjen hapur.

Por, një gjë duhet të merret në konsideratë: Teorikisht, kantonet me vlera relativisht të mira mund të tërheqin shumë mysafirë nga rajone të prekura më rëndë nga pandemia.

(Kosova Sot Online)