A duhet zëvendësuar foto e Hashim Thaçit me të Vjosa Osmanit nëpër institucione, çfarë thotë protokolli

  • E.K /
  • 16 December 2020 - 10:46
A duhet zëvendësuar foto e Hashim Thaçit me të Vjosa Osmanit nëpër institucione, çfarë thotë protokolli

Ka më shumë se një muaj që kur Vjosa Osmani është duke udhëhequr me karrigen më të rëndësishme të shtetit.

Fotografia e saj, megjithatë, nuk po mbahet në zyrat e institucioneve shtetërore, siç përcaktohet me ligj për presidentin e vendit.

Në disa paraqitje publike e fotografi që janë publikuar nga zyrtarë të Qeverisë është parë se fotografia e ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi, po vazhdon të qëndrojë ende nëpër këto hapësira.

Pse po ndodhë një gjë e tillë është sqaruar nga Protokolli i Shtetit.

Në rregulloren për Përzgjedhjen dhe vendosjen e fotografisë së Presidentit thuhet se deri në vendosjen e presidentit të zgjedhur qëndron fotografia e presidentit të mëparshëm.

“Deri në vendosjen e fotografisë së presidentit të zgjedhur qëndron fotografia e presidentit të mëparshëm”, thuhet në rregullore.

Media ka kontaktuar për këtë çështje edhe institucionet, në të cilat është vërejtur se nuk është ndërruar fotografia e presidentit.

Në MPJD kanë cituar rregulloren që është përfolur më lart.

“Gjeni në vijim përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në pyetjen tuaj: Në bazë të dispozitave ligjore të aplikueshme në Kosovë, konkretisht Neni 6, Pika 2, të Rregullorës Nr. 19/2011 për Kriteret për Përzgjedhjen dhe Vendosjen e Fotografisë së Presidentit të Republikës së Kosovës, parashihet që “Deri në vendosjen e Presidentit të zgjedhur qëndron fotografia e Presidentit të mëparshëm””, thuhet në përgjigje.

(Kosova Sot Online)