A po e “gatuan” Vuçiq rrëzimin e Qeverisë Hoti në Beograd? Merret vesh brenda 72 orëve

  • E.K /
  • 16 December 2020 - 14:46
A po e “gatuan” Vuçiq rrëzimin e Qeverisë Hoti në Beograd? Merret vesh brenda 72 orëve

Zyrtarë të Listës Serbe kanë udhëtuar drejt Beogradit ku edhe kanë takuar presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq. Për këtë takim presidenca serbe ka lëshuar një njoftim për media, përmes të cilit kanë treguar se Vuçiq dhe përfaqësuesit politik e institucional të serbëve në Kosovë kanë arritur disa konkluzione me qëllim të ruajtjes së interesave të serbëve në Kosovë.

“..dhe gjithashtu për më të rëndësishmin, interesin e Republikës së Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Nga presidenca serbe kanë paralajmëruar se brenda 72 orëve publiku do të njoftohet për pajtimet konkrete të arritura, derisa janë paralajmëruar edhe konsulta shtesë brenda kësaj periudhe kohore.

“Publiku do të informohet rreth konkluzave konkrete në 72 orët e ardhshme, pas konsultimeve shtesë me të gjithë përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, si dhe me të gjithë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar”, thuhet tutje.

 Në këtë takim ka marrë pjesë edhe drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic.

Kjo vizitë e Listës Serbe në Serbi dhe koordinim me Vuçiqin vjen në kohën kur raportet me Qeverinë Hoti janë tejet të brishta.

Ditë më parë zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku, ka thënë se ekzekutivi është duke i shqyrtuar ankesat e Listës Serbe dhe se së shpejti besohet që do të gjejnë pajtim.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje është duke synuar që të rrëzojë Qeverinë Hoti, derisa PDK për t’iu bashkuar në këtë kauze e ka kushtëzuar Kurtin që të grumbullojë 40 nënshkrime.

Nuk dihet nëse Vuçiq ka udhëzuar “Srpskan” që të bashkëpunojë me partitë opozitare për të rrëzuar Qeverinë Hoti, apo për t’u kthyer në institucionet e drejtuara nga Avdullah Hoti.

(Kosova Sot Online)