Kosova hesht pas deklaratës së Daçiqit se në Washington ishte propozuar zhbërja e Gjykatës Speciale

  • E.K /
  • 16 December 2020 - 14:55
Kosova hesht pas deklaratës së Daçiqit se në Washington ishte propozuar zhbërja e Gjykatës Speciale

Qeveria dhe anëtarët e delegacionit të Kosovës që morën pjesë në takimet me Serbinë në Washington, s’kanë folur ende për t’i hedhur poshtë pohimet e Daçiqit se Kosova kishte kërkuar në SHBA zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Zyra e Kryeministrit dhe anëtarët e delegacionit të Kosovës që morën pjesë në takimin e shtatorit me Serbinë në Washington, nuk e kanë thënë ende asnjë fjalë pas deklaratës së kryetarit të Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, se Kosova kishte kërkuar në Washington që zhbërja e Gjykatës Speciale të ishte një nga pikat e marrëveshjes që ishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

Media e ka pyetur Zyrën e Kryeministrit dhe të gjithë anëtarët e atij delegacioni që e ka përfaqësuar Kosovën nëse janë të vërteta pohimet e Daçiqit, por askush s’është përgjigjur.

Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, që po ashtu ishte pjesë e delagacionit të Kosovës, ka thënë se nuk dëshiron të flasë për këtë çështje.

Ndërkohë mediat serbe e kanë cilësuar si zbulim të detajeve të panjohura të takimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Washington këtë deklaratë të kryetarit të Kuvendit serb, Ivica Daçiq.

Zhbërja e Gjykatës Speciale, sipas Daçiqit ishte kërkesë e veçantë e palës kosovare për presidentin amerikan, Donald Trump. Ai ka thënë se pala kosovare i kishin kërkuar Trumpit që një nga pikat e marrëveshjes, e cila u nënshkrua në Uashington, të ishte edhe një angazhimi i përbashkët për heqjen e gjykatave ndërkombëtare për krimet e luftës. Sipas tij, këtë propozim e kishte refuzuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Shqiptarët i kanë kërkuar Trumpit që të jetë pjesë e marrëveshjes së Washingtonit. Në përgatitjet për takimet, Richard Grenell theksoi se një pikë duhet të jetë që të gjithë të punojmë së bashku për t’i shfuqizuar gjykatat ndërkombëtare të krimeve të luftës. Sigurisht, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, refuzoi”, tha Daçiq për televizionin serb, TV Pink.

Sipas Daçiqit, pala kosovare ka punuar me administratën amerikane për një vit se si ta shmangin situatën e arrestimeve dhe paraqitjes para Gjykatës Speciale të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

(Kosova Sot Online)