ShBA-ja i konfirmon sulmet kibernetike ndaj rrjeteve qeveritare, thotë se ato po vazhdojnë

  • E.K /
  • 17 December 2020 - 10:26
ShBA-ja i konfirmon sulmet kibernetike ndaj rrjeteve qeveritare, thotë se ato po vazhdojnë

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar se disa sulme kibernetike i kanë prekur rrjetet e saj dhe se këto sulme kanë qenë të konsiderueshme dhe janë duke vazhduar.

Në deklaratën e përbashkët të FBI-së, Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Siguri të Infrastrukturës dhe Zyrës së Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare thuhet se kjo është një situatë në zhvillim dhe se hetuesit janë duke e vazhduar punën e tyre për ta kuptuar plotësisht shtrirjen e sulmit.

“Gjatë disa ditëve të kaluara, FBI-ja, CISA dhe ODNI-ja janë njoftuar për një fushatë të konsiderueshme dhe të vazhdueshme kundër sigurisë kibernetike. Ne e dimë se ky kompromis i ka prekur rrjetet brenda qeverisë federale”, thuhet në deklaratë.

Përfaqësuesit e këtyre tri institucioneve të rëndësishme të sigurisë të mërkurën raportuan para anëtarëve të Kongresit. Senatori Dick Durbin më vonë tha: “Kjo është virtualisht një shpallje e luftës nga Rusia ndaj Shteteve të Bashkuara dhe duhet ta marrim këtë seriozisht.”

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, këtë javë e ndërpreu para kohës një vizitë në Evropë dhe u kthye në Uashington për t’u marrë me sulmin kibernetik, i cili së pari u raportua më 13 dhjetor. Qeveria nuk ka treguar saktësisht sa agjenci janë prekur nga sulmi.

Ambasada e Rusisë në Uashington ka mohuar se ky shtet është i përfshirë në sulme kibernetike.

Pentagoni tha përmes një deklarate se deri më tani nuk ka gjetur dëshmi të kompromisit në rrjetet e tij të klasifikuara dhe të paklasifikuara.

(Kosova Sot Online)