Ministri: Gjermania e nis vaksinimin më 27 dhjetor

  • E.K /
  • 17 December 2020 - 11:44
Ministri: Gjermania e nis vaksinimin më 27 dhjetor

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se vendet anëtare të BE-së po planifikojnë që ta fillojnë vaksinimin kundër koronavirusit më 27 dhjetor.

“Nëse miratimi vjen siç është planifikuar, ne në Gjermani do të fillojmë më 27 dhjetor. Vendet tjera duan të jenë të gatshme për të filluar nga 27 dhjetori”, tha ministri.

Ai këtë deklaratë e bëri para takimit me Kancelaren Angela Merkel dhe drejtuesit e kompanisë që e ka zhvilluar vaksinën, “BioNTech”, shkruan the Guardian.

Ndryshe, Gjermania edhe më parë ka bërë thirrje që Agjencia Evropiane e Ilaçeve ta miratojë sa më shpejt vaksinën kundër koronavirusit.

Vaksina e zhvilluar nga kompania amerikane “Pfizer” në bashkëpunim me kompaninë gjermane “BioNTech” është miratuar për përdorim në Britani të Madhe, Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka paralajmëruar se vendimin rreth miratimit apo mosmiratimit të vaksinës do ta bëjë publik më 21 dhjetor, disa ditë më herët sesa që ishte planifikuar më parë.

(Kosova Sot Online)