KMDLNJ: Kërkesa e Kurtit për lirim të Rexhep Selimit nuk është ndërhyrje në punën e Speciales

  • E.K /
  • 17 December 2020 - 13:19
KMDLNJ: Kërkesa e Kurtit për lirim të Rexhep Selimit nuk është ndërhyrje në punën e Speciales

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut, ka reaguar përmes një njoftimi për media për letrën që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka dërguar gjykatësit të procedurës paraparake të Gjykatës Speciale në Hagë, Nikolas Giju.

Nga KMDLNJ është thënë se kërkesa e Kurtit nuk ka qenë ndërhyrje në punën e Speciales.

Sipas tyre, kjo letër nuk i ndihmon asgjë Rexhep Selimit dhe nuk ka asnjë ndikim në marrjen e vendimit nga Gjykata prandaj as që mund të merret  si presion ndaj gjykatës sepse nuk kushtëzohet me asgjë, nuk ka elemente kërcënimi apo frikësimi.

Njoftimi i plotë:

Ish – kryeministri i Kosovës dhe kryetari i LVV –së, Albin Kurti i dërgoi një letër gjykatësit të procedurës paraparake të Gjykatës Speciale në Hagë, Nikolas Giju me të cilën kërkonte që Rexhep Selimit, deputet dhe shef i Grupit Parlamentar të LVV –së e që është i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit të kësaj Gjykate , masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me masën e mbrojtjes në liri, deri në fillim të gjykimit. Albin Kurti e bëri këtë kërkesë vetëm për Rexhep Selimin e që shkaktoi reagim në opinion e sidomos të disa subjekteve politike e që, sipas KMDLNj –së këto reagime nuk janë të drejta. Aktualisht, Albin Kurti nuk është bartës i asnjë posti institucional por është vetëm kryetar i LVV –së dhe në këtë cilësi ia ka dërguar letrën gjykatësit Nikolas Giju duke kërkuar zëvendësimin e masës së paraburgimit për anëtarin e subjektit politik në emër të cilës edhe e ka shkruar këtë letër. Po të ishte Albin Kurti në pushtet apo në një post me rëndësi, nëse do ta shkruante këtë letër, do ta kishim një situatë tjetër dhe reagimet eventuale do të ishin të arsyeshme. Në këtë letër Albin Kurti e përfaqëson vetëm LVV –në. Realisht, kjo letër nuk i ndihmon asgjë Rexhep Selimit dhe nuk ka asnjë ndikim në marrjen e vendimit nga Gjykata prandaj as që mund të merret  si presion ndaj gjykatës sepse nuk kushtëzohet me asgjë, nuk ka elemente kërcënimi apo frikësimi. Kërkesa të ngjashme dërguan edhe dy qytetarë të Kosovës , mund të ketë edhe të tjera të cilat nuk prodhojnë asnjë efekt apo pasojë juridike. Kjo kërkesë, në formën si është bërë dhe nga pozicioni që është bërë, më së shumti e ka efektin e bensedinës politike dhe zhurmuesit për të qetësuar një numër të të pakënaqurve brenda LVV –së, hiç, asgjë më tepër!

Në praktikat juridike, vendore dhe ndërkombëtare janë të përcaktuara me ligj kushtet kur një i paraburgosur, qoftë me vetiniciativë apo, në të shumtën e rasteve përmes personit të autorizuar – avokatit mbrojtës, e bënë kërkesën për zëvendësimin e masës së paraburgimit, me një masë më të butë por se vendimi për këtë është e drejtë dhe përgjegjësi ekskluzive e Gjykatës përkatëse.

KMDLNj e sqaron opinionin për këtë kërkesë dhe kërkesa tjera se edhe Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish – Jugosllavinë ka zëvendësuar masën e paraburgimit apo i ka liruar përkohësisht të burgosurit në rast se i kanë plotësuar kushtet e parapara me ligj kurse, në raste më të ndjeshme Tribunali ka kërkuar garanci nga shteti se i liruari nga paraburgimi do t’i përmbahet kushteve të përcaktuara. Institucionet e shtetit kanë garantuar se do të respektohen kushtet  , pasi Gjykata ka kërkuar garanci nga shteti dhe kjo garanci është nënshkruar nga Ministri i Drejtësisë apo dikush që është autorizuar nga institucionet. Pas kësaj, ka qenë përgjegjësi e garantuesit – shtetit se i liruari do të respektojë kushtet e lirimit të përkohshëm , deri në një vendim të gjykatës pasi të ketë përfunduar gjykimi. Po të kishte kërkuar Gjykata Speciale, përkatësisht gjykatësi i procedures paraprake, Nikollas Giju  garanci nga shteti i Kosovës për zëvendësimin e masës së paraburgimit për cilindo të paraburgosur, atëherë do të kishim një situatë tjetër. Kështu , e kemi një situatë kur kush të dojë mund të shkruaj letra të cilat nuk i ndihmojnë aspak të paraburgosurve sepse nuk prodhojnë asnjë efekt juridik  ndërsa të paraburgosurit mbesin në burg  ,në pritje të gjykimit apo një situate kur Gjykata Speciale do të kërkojë garanci nga Kosova për zëvendësimin e masës së paraburgimit e që deri më tani nuk ka ndodhur. Kjo situatë e manipulimit me ndjenjat e të paraburgosurve dhe familjeve të tyre, përmes dërgimit të letrave kryesisht po përdoret për qëllime politike sikur që edhe sulmet diskredituese që i bëjnë  Albin Kurtit janë bërë dhe po bëhen vetëm për qëllime politike. E ulët, por e vërtetë !

(Kosova Sot Online)