Deri në nisje të gjykimit, konferencat për Thaçin e të tjerët do të mbahen çdo muaj

  • E.K /
  • 17 December 2020 - 13:23
Deri në nisje të gjykimit, konferencat për Thaçin e të tjerët do të mbahen çdo muaj

Çdo muaj do të ketë konferenca dëgjimore në Speciale për rastin e ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kreut të PDK-së, Kadri Veselit, ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit dhe deputetit Rexhep Selimit.

Prokurori i Speciales ka bërë këtë propozim duke thënë se seanca e radhët të mbahet në janar të vitit 2021.

“Ne mendojmë që konferenca e jashtme të zhvillohet në janar, përputhet edhe me nevojën tonë për konferenca të shpeshta dhe të rregullta për ecurinë e çështjes që mund të konstatojmë dhe orientojmë më tej progresin e kësaj çështje për të shkuar drejt gjyqit. Ka rrethana ku kjo është e rëndësishme”, ka thënë.

Propozimin për këtë çështje ka bërë edhe avokati i ish-kreut të PDK-së, Kadri Veselit.  

Ben Emmerson ka kërkuar që të shqyrtohet edhe kërkesa për lirim të përkohshëm, duke vënë kështu edhe afate kohore.

“Orari do të sugjeroja 14 janari i vitit të ardhshëm. Kemi bërë një kërkesë për lirim të ndërkohshëm dhe këtë e kemi bërë brenda afatit kohor. Ne do të kërkonim afat për dorëzimin e përgjigjes deri me 31 dhjetor dhe të kundërpërgjigjes me 11 janar”, ka thënë ai.

Nicolas Guillou, gjyqtar i Speciales ka thënë se edhe ai pajtohet që konferenca të tilla dëgjimore të mbahen një herë në muaj.

“Ndaj mendimin me ju që të paktën një herë në muaj të mbahen konferenca të tilla të bashkërendohen qëndrimet. Mendoj që palët kanë nevojë për kohë e se kjo është në përfitim të një gjykimi të drejtë, mirëpo dua që këto përgatitje të jenë më të shpejta”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)