Duhet edhe pëlqimi i Vjosa Osmanit për shkarkimin e shefit të AKI-së

  • E.K /
  • 17 December 2020 - 15:29
Duhet edhe pëlqimi i Vjosa Osmanit për shkarkimin e shefit të AKI-së

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot i ka kërkuar shefit të Inteligjencës kosovare, Kreshnik Gashit, që të lirojë pozitën e tij.

“Sot, kam kërkuar nga z. Kreshnik Gashi, lirimin e detyrës së drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI)”, ka shkruar Hoti në profilin e tij zyrtar.

Por cila është procedura e emërimit dhe shkarkimit të shefit të Inteligjencës.

Sipas Ligjit për Agjencinë e Inteligjencës 03/L 063, shkarkimi i shefit të AKI-së bëhet në koordinim mes presidentit të vendit dhe kryeministrit.

Edhe emërimi bëhet përmes procedurës së njëjtë. Një gjë e tillë specifikohet në pikën 5.3 dhe pikën 5.4

“5.3 Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.

5.4 Drejtori i AKI-se shkarkohet nëpërmjet procesit të njëjtë me të cilin është emëruar”, thuhet në Ligjin për AKI-në.

Tashmë pritet të merret vesh se cili do të jetë qëndrimi i u.d të presidentit, Vjosa Osmanit, lidhur me shkarkimin e shefit të AKI-së.  Qëndrimi i Osmanit do të jetë i vlefshëm nëse Kreshnik Gashi nuk jep dorëheqje vetë.

(Kosova Sot Online)