PE-ja miraton rezolutë për mbrojtjen e ujgurëve, i kërkon BE-së sanksione ndaj Kinës

  • E.K /
  • 18 December 2020 - 10:28
PE-ja miraton rezolutë për mbrojtjen e ujgurëve, i kërkon BE-së sanksione ndaj Kinës

Parlamenti Evropian të enjten miratoi një rezolutë me të cilën dënon punën e detyrueshme dhe gjendjen e përgjithshme të ujgurëve në rajonin Xinjiang, duke bërë thirrje që BE-ja t’i vendosë sanksione Kinës.

Ligjvënësit evropianë e dënuan fuqishëm sistemin e udhëhequr nga qeveria për punë të detyrueshme, sidomos shfrytëzimin e ujgurëve, kazakëve, kirgizëve dhe pakicave tjera myslimane në fabrika brenda dhe jashtë kampeve të internimit në Xinjiang.

Rezoluta gjithashtu e dënon dërgimin e vazhdueshëm të punëtorëve të detyruar në distrikte tjera administrative të Kinës dhe faktin se kompani të njohura evropiane kanë përfituar nga puna e detyrueshme, shkruan Anadolu.

Ligjvënësit gjithashtu u bënë thirrje kompanive që ta shqyrtojnë angazhimin e tyre në Xinjiang për t’i inspektuar zinxhirët e furnizimit dhe për ta vlerësuar respektimin e të drejtave të njeriut. Nëse zbulohet se këto të drejta nuk janë duke u respektuar, bëhet thirrje që raportet tregtare me Kinën të shkëputen.

Me këtë rezolutë kërkohet që Kina të lejojë një grup vëzhgues ndërkombëtar që të kryejë hulumtim të pavarur në rajonin Xinjiang.

Politika e Pekinit në Xinjiang ka marrë kritika të shumta nga grupet për të drejtat e njeriut, përfshirë organizatat “Amnesty International” dhe “Human Rights Watch”.

(Kosova Sot Online)